Kina i ka kërkuar SHBA-së të lirojë menjëherë presidentin venezuelian, Nicolas Maduro, i cili u vu në pranga më 3 janar.
Ministria e Jashtme kineze deklaroi se operacioni ushtarak amerikan për të kapur presidentin e Venezuelës shkeli ligjin ndërkombëtar, shkruan Sky News. Në deklaratë, thuhej ndër të tjera se Kina gjithmonë mban komunikim dhe bashkëpunim pozitiv me qeverinë e Venezuelës.
Madje, vetëm disa orë para se të ndodhte kapja, Maduro po pritste një delegacion kinez në Karakas, të udhëhequr nga përfaqësuesi special i Kinës për çështjet e Amerikës Latine, Qiu Xiaoqi.
Maduro do të paraqitet sot (5 janar) në gjykatë në New York pas arrestimit të tij nga ushtria amerikane. Ai ndodhet në Qendrën Metropolitane të Dënimit në Brooklyn, një institucion i mbipopulluar që njihet për incidentet e dhunshme.
Seanca dëgjimore do të mbahet përpara gjykatësit Alvin Hellerstein, tha Gjykata e Distriktit Jugor të New York.
Maduro përballet me akuzat për drogë dhe armë, një çështje që qeveria e ka ndjekur në gjykatë prej 15 vitesh dhe presidenti është konsideruar i pandehur prej 6 vitesh.
Presidenti venezuelian u kap më 3 janar në rezidencën e tij në Karakas, nga forcat amerikane, në kuadër të operacionit “Maduro out”.
© Panorama.al












