Gjykata e Posaçme e Apelit ka caktuar datën e shqyrtimit të ankimimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, e vendosur prej një viti me kërkesë të SPAK.
Do të jetë data 24 shkurt kur gjyqtarja Nertina Kosova do të shqyrtojë kërkesën e kryebashkiakut, për të vendosur nëse do e zbusë atë apo do e lërë në fuqi.
Apeli i Posaçëm do të vlerësojë nëse plotësohen kushtet dhe kriteret ligjore që Veliaj të lirohet nga qelia.
Kërkesa e tij vjen pas vendimit për kalimin e çështjes për gjykim.
Sipas mbrojtjes, në këtë fazë procedurale nuk ekziston më rreziku i prishjes apo manipulimit të provave, çka përbën një nga argumentet kryesore për lehtësimin e masës së sigurisë.
Vendimi i Apelit pritet të përcaktojë nëse kryebashkiaku do të vijojë të qëndrojë në masën aktuale apo do të përfitojë ndryshim të saj.
Veliaj pretendon pafajësinë, kurse SPAK ka ngritur akuza për të parin e Tiranës, në lidhje me dyshimet për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
© Panorama.al












