Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar sërish kërkesën e kreu të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për të transmetuar seancat gjyqësore në ngarkim të tij live për publikun.
Po ashtu, gjykata rrëzoi edhe kërkesën për të dalë nga kafazi i qelqtë dhe për të qenë i pranishëm krah avokatit në sallën e gjyqit.
Ndërkohë, në lidhje me kërkesën për aksesimin e provave elektronike, Gjykata e Posaçme “urdhëroi” SPAK që të krijojë kushtet.
Meta po gjykohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie lidhur me aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Me të njëjtat akuza përballet edhe ish bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.
Procesi për ish presidentin Meta dhe Kryemadhin është ndarë pasi ata do të gjykohen me gjykim të zakonshëm, ndërkohë që të pandehurit e tjerë, Fatime Kryemadhi, nëna e ish deputetes; Ema Çoku dhe Pirro Xhixho do të gjykohen me gjykim të shkurtuar.
© Panorama.al











