Protesta kombëtare hyn sot në ditën e 11-të të saj, ku me mijëra shqiptarë mbushin sheshin përnatë me kërkesën për rrëzimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gazetarja Klodiana Lala, e cila ka ndjekur nga afër zhvillimet e tubimit, ka deklaruar sot (10 qershor) për News24 se protesta nuk lidhet vetëm me ngjarje të veçanta, por përfaqëson një pakënaqësi më të gjerë qytetare.
Lala u shpreh se prania e vazhdueshme e qytetarëve në shesh tregon një mobilizim të qëndrueshëm, ndërsa theksoi se kërkesa kryesore e protestuesve është e qartë dhe e njëtrajtshme. Ajo shtoi se pjesëmarrja e brezit të ri, përfshirë edhe gjeneratën Z, është një element i dukshëm i kësaj lëvizjeje.
“Kjo nuk është protestë vetëm për Zvernecin, Zverneci ishte pika e vlimit. Të tërhiqet një qytetar zvarrë, kjo zgjoi rininë shqiptare. Sa herë kemi thënë, ku është rinia shqiptare? Më në fund, gjenerata Z është ngritur dhe po kërkon të drejtat e veta. E keni parasysh çfarë ndodhi me AKSHI-n? Sado Rama përpiqet, nëse protesta vijon të jetë konsistente, mund të arrijë suksesin. Do të bëhen pjesë figura të njohura në vijim”, tha ajo mes të tjerash.
Lala rrëfeu edhe detaje nga strategjia dhe energjia e protestës.
“Nëse qytetarët do vijojnë të qëndrojnë aty, do qëndrojnë të palëkundur, mund të arrihet synimi. Kërkesa është një e vetme, largimi i Ramës. Rama foli për agjentura, por aty ka vetëm qytetarë. Askush aty nuk është kundër zhvillimit, duhet konsultim dhe transpranecë. Rama ka gënjyer 5 herë për Zvernecin”, tha ajo.
© Panorama.al













