Këngë epike e polifoni në 99-vjetorin e Ushtrisë

Dec 9, 2011 | 14:01
Mbrëmë në koncertin e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes

Jehonë shekujsh, traditë që nuk humbet… Kështu erdhi e pasur dhe e plotë kënga epike shqiptare, në koncertin e organizuar dje nga Ministria e Mbrojtjes me rastin e 99-vjetorit të themelimit të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe mbajtjes së Ministerialit të A5-s në Shqipëri. Koncerti u organizua nën kujdesin e posaçëm të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami dhe një grupi profesionistësh. Duke filluar nga akademiku Vaso Tole, që u kujdes për repertorin artistik të koncertit, te një nga emrat më të njohur të regjisë shqiptare, Pali Kuke. Në një konceptim tërësisht modern erdhi edhe skenografia, ku u përdorën edhe elementë projektimi të tekno-logjisë  3D, që u realizua nga një grup profesionistësh më me zë në Hollywood, si Bart Kresa, David Beaudry, Adam Kuczek, Ergin Kuke etj. Ky koncert me muzikë popullore tradicionale shqiptare ishte një risjellje në skenë e gjinive dhe tipologjive muzikore, të cilat janë “perla” të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve. Programi ishte i fokusuar te këngët epike, legjendare, heroike. Epet me lahutë të shkëputura nga “Eposi i Kreshnikëve”, i cili është monument shpirtëror origjinal i homofonisë sonë veriore, i cili krijoi atmosferën legjendare të bjeshkëve dhe të bëmave të kreshnikëve përmes tingujve, veshjeve dhe zërave të lahutarëve, të cilët duket sikur udhëtonin bashkë me kohën. Krahas epëve, në koncert ishin dhe këngët maje-kraje, një formë krejt origjinale e të kënduarit në Veriun e Shqipërisë. Kërcimet pa muzikë dhe larmia e formave dhe varianteve të iso-polifonisë vajtimore të krahinave toske e çoi audiencën te ritualet vajtimore të kohës së Homerit, në atë kohë kur lindi edhe krijimtaria artistike e njeriut, vetë arti i tragjedisë si një unitet i artë mes fjalës, muzikës dhe lëvizjes. Janë pikërisht këto monumente të kulturës popullore shqiptare, të cilat sot janë të njohura ndërkombëtarisht nga UNESCO si pjesë e listës së “Dukurive shpirtërore të mbarë njerëzimit”. “Ne donim që t’i shkonim konceptit sa më thellë, sikurse është fërgëllima e shpirtit që del nga fyelli apo

Imami dhe Topalli, dje pas koncertit

gërvishtja ngjethëse e lahutarit. Donim të shkonim në një dimension sa më lart në skajin tjetër që është në qiell. Ky ishte koncepti artistik, këtu u mbështetëm. Kështu që gjetëm këto konvencione për t’i ngritur, për t’i mbajtur në ajër, për t’i mbajtur pezull, një gjë që është si qelqi, delikate, duke e mbrojtur që të mos thyhet”, u shpreh regjisori Pali Kuke.
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, u shpreh se kjo ishte forma më e mirë për të kujtuar etërit e shtetit shqiptar, të cilët 99 vjet më parë themeluan Ushtrinë Kombëtare Shqiptare. Ai u ndal edhe te simbolika e 8 Dhjetorit, e cila ishte dita që çeli siparin e ndërtimit në Shqipëri të një shoqërie ku të drejtat e njeriut janë të garantuara, ku të drejtat politike dhe civile janë të garantuara dhe ndërtimit të një shteti ku sundon ligji dhe e drejta. I ftuar i nderit në këtë koncert ishte komandanti suprem i Forcave Aleate për Europën, Admiral James Stavridis, i cili gjendet në Shqipëri për të marrë pjesë edhe në Ministerialin e Mbrojtjes të A5-ës, i cili zhvillohet sot në Durrës. Gjithashtu, të pranishëm ishin ministrat e Mbrojtjes të vendeve të rajonit, si dhe drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, si kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministra, deputetë dhe diplomatë.

© Panorama.al

Te lidhura