
Panajotis Markopulos dhe Anastasia Vogiatzi, këngëtarët grekë të arrestuar të shtunën pas gjetjes në automjetin e tyre të 63.5 kilogramëve marijuanë, kundërshtuan dje akuzën e trafikut të drogës.
Para Gjykatës për Krimet e Rënda dy këngëtarët pretenduan se janë futur në kurth nga një tjetër bashkëkombës i tyre, i cili ua ka vënë drogën në automjet. Ata kërkuan të liroheshin duke u deklaruar si të pafajshëm. Ndërsa organi i akuzës ngriti dyshime se sasia e lëndës narkotike ishte pagesa e dy këngëtarëve për koncertin që ata kishin dhënë në një disko të Sarandës. Gjykata për Krimet e Rënda pranoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj dy artistëve.
SEANCA
Këngëtari Panajotis Markopulos nuk i mbajti lotët dje në sallën e gjyqit. Seanca e tij ishte e para në radhën e dy seancave ndaj shtetasve grekë të arrestuar në pikëkalimin kufitar të Kakavijës. Markopulos u shfaq i druajtur dhe i rënduar emocionalisht në kafazin e sallës së gjyqit. Pasi hodhi një vështrim në sallën e mbushur me përfaqësues të medias dhe familjarë të tij, ai u shkreh në lot. Vijimi i seancës ndaj tij dhe seanca e këngëtares Vogiatzi u zhvilluan pa praninë e medias. Burime brenda seancave sqaruan se përfaqësuesi i akuzës në proces i kërkoi gjykatës që hetimi ndaj të dyshuarve të vijonte duke i mbajtur ata në qeli. Sipas prokurorisë, ekzistojnë dyshime të forta se lënda narkotike e gjetur dhe e sekuestruar në automjetin ku udhëtonin dy këngëtarët ishte shpërblimi i punës së tyre për muzikën live që kishin bërë në Sarandë. Sipas prokurorisë, në deklarimet e tyre para oficerëve të Policisë Gjyqësore, të dyshuarit kanë mohuar të kenë lidhje me drogën apo me përpjekjet për trafikimin e saj. Në momentin e ndalimit atyre nuk u janë gjetur sasi parash me vete. Kjo ka shtuar dyshimet e prokurorisë, për shkak se pronarët e lokalit bujtës të dy këngëtarëve grekë kanë pretenduar se i kanë paguar me euro. Sipas burimeve, nga kafazi i sallës së gjyqit dy të dyshuarit janë deklaruar të pafajshëm. Duke komunikuar me gjykatën me ndihmën e përkthyesve, të dyshuarit kanë kërkuar të lirohen nga qelia. “Jemi të pafajshëm! Jemi futur në kurth”, mësohet të jenë shprehur ata në gjykatës. E njëjta kërkesë është përsëritur edhe nga mbrojtësit e tyre ligjorë, të cilët kanë pretenduar se nuk ekzistonin kushtet ligjore që klientët e tyre të qëndronin në qeli.
ARRESTIMI
Artistët grekë Markopulos dhe Vogiatzi u arrestuan mbrëmjen e së shtunës në pikëkalimin kufitar të Kakavijës, teksa po udhëtonin nga Shqipëria drejt Greqisë. Automjeti tip “Seat” me targa greke IPP 3885, drejtohej nga 27-vjeçari Markopulos, ndërsa Vogiatzi ndodhej në sediljen e pasagjerit. Kontrolli policor në pikëkalimin kufitar ka zbuluar sasinë e drogës së fshehur në automjetin e tyre. Pakot e lëndës narkotike ishin fshehur në brendësi të prapakolpit, në shasi dhe poshtë sediljes së pasme, ku ishte ndërtuar një dhomë për të. Droga ishte e ndarë në 95 pako të mbështjella me letër natriban, me peshë të përgjithshme 63.5 kg. Fillimisht është arrestuar në kushtet e flagrancës për akuzën e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike” i riu Markopulos. Në vijim, pas vijimit të hetimit me metoda speciale, janë siguruar të dhëna që krijonin dyshime, të cilat kanë çuar në pranga edhe këngëtaren Vogiatzi.
Si u arrestuan këngëtarët
Dy shtetasit grekë, Panajotis Markopulos dhe Anastasia Vogiatzi janë kapur në Kakavijë mbrëmjen e së shtunës, më 7 qershor. Policia ka thënë se ka gjetur 63.5 kg marijuanë në makinën e dy këngëtarëve, të cilët këndonin bashkë në klubet e Selanikut. Ata kishin hyrë në Shqipëri si të ftuar në një disko në Sarandë. Fillimisht u mësua vetëm arrestimi i Panajot Markopulos, 27 vjeç, por të nesërmen, më 8 qershor, policia njoftoi edhe arrestimin e shoqërueses së tij, Anastasia Vogiatzi. Lënda narkotike ishte ndarë në 95 pako të madhësive të ndryshme dhe ishte e fshehur në shasinë e mjetit dhe dyshemenë e sediljes së pasme të makinës tip “Seat” me targë IPP 3885. Policia ka thënë se dy të rinjtë kishin hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Qafë-Botës. Bashkëpunimi ndërmjet tyre u zbulua me metoda speciale hetimi, kryer nga sektori kundër narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër dhe çoi në arrestimin edhe të 30-vjeçares, e cila bashkëpunonte me shtetasin grek në shfaqje të përbashkëta muzikore.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











