
“Kujtesa është një pllakë bakri, e mbuluar me shkronja, të cilat i fshin koha pa u vënë re, në rast se herë pas here nuk i përtërin me daltë”. Kështu thoshte dikur Xhon Loku, e duket se shkrimtari e studiuesi ia ka vënë veshin. Nuk e la t’i fshiheshin shkronjat, sepse është pikërisht “koha e kujtimeve”. Kështu e ka quajtur librin e tij prej 560 faqesh, një botim i “Ombra GVG”, shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi. Thonë se të shkruash kujtime është ndoshta “puna” më e vështirë për një shkrimtar, por duket se prof. Nasho e ka gjetur linjën e duhur për t’i thënë gjërat, por edhe për të mos e mërzitur lexuesin, me xhepa kujtimesh pa interes. E duket se këtë dilemë e ka pasur vetë autori, përpara se të skiconte strukturën e librit. “Kur vendosa të hedh në letër disa nga kujtimet e jetës sime, u gjenda para dilemës se cilat prej tyre do të evokoja e do t’i bëja publike. Të tregoja kryesisht për vete, siç ngjan zakonisht me kujtimet, apo të shkruaja për të tjerët dhe raportet e mia me ta. Zgjodha këtë të dytën për disa arsye. Së pari se jeta ime ka qenë e zakonshme, pa ndonjë rol protagonisti, siç nuk kam pasur fatin të jem as dëshmitar apo pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të shënuara, veçanërisht i atyre historike”, thotë Jorgaqi në parafjalën e librit të tij, ku na shpjegon se si lindi ky libër. Një libër, i cili ndonëse shumë personal, sjell dëshmitë e një kohe, ku shkrimtarët që duhet të ishin më të lirët, ishin më të dhunuarit, kur lufta e klasave duhej të ndihej edhe në letërsi, kur letrarët e mëdhenj dënoheshin në mos me syrgjynosje, me harrim. Por ai na sjell edhe portretet e disa prej figurave më të njohura të letrave shqipe, pjesa më e madhe e të cilëve tashmë nuk jeton më. Ata vijnë njerëzor me vogëlsirat e jetës së tyre, të cilat i bëjnë edhe më të dashur. Biseda, letra, takime, mbledhje…
Personazhet
Po sado e zakontë të ketë qenë jeta e tij, për lexuesin e sotshëm ajo merr përmasa jo të zakonta. Ka jetuar e krijuar në një periudhë jo të zakontë dhe ka njohur nga afër e ka gëzuar miqësinë e disa prej emrave më të njohur të letrave shqipe. Ka njohur Lasgushin, ka biseduar me të buzë liqenit, i ka njohur përhumbjen dhe buzëqeshjen dinake. Ka njohur Kutelin, i ka ditur brengat e shkrimtarit, që diktatura e detyroi të rrudhte krijimtarinë e tij tek përkthimet, por edhe Sejfulla Malëshovën dhe dramën e tij, poetin e dashurisë, Ali Asllani, Nonda Bulkën, Jakov Xoxën, Selman Rizën, e shumë të tjerë.. E midis tyre edhe Ismail Kadarenë, i cili do të bëhej një nga shokët e tij të ngushtë të rinisë. Kush më shumë e kush më pak, zënë vend në “Kohën e kujtimeve”, të përshkruar si të ishin të gjallë përpara syve të lexuesve. Por ata janë vetëm disa syresh që u shkëmbyen në jetën e Jorgaqit. “Në pamundësi për t’i sjellë të gjithë në kujtimet e mia, më është dashur të zgjedh të krijoj një galeri modeste me disa prej figurave të letërsisë e të kulturë sonë që hynë e mbetën në jetën time. Kuptohet sa të zorshme e pata t’i zgjedh, duke pasur parasysh se ata objektivisht qëndronin para meje të barabartë mes të barabartëve. Pra, nuk u nisa nga asnjë paragjykim apo tendencë. Ishin më shumë mbresat dhe kujtimet që ruaja, të dhëna të ndryshme burimore që më ishin ngulitur, qoftë edhe rastësisht, ato që ndikuan në përzgjedhjen time”, shkruan autori, ndërsa shpjegon se nuk ka qenë e lehtë për të rrokur dhe për të përshkruar personazhet, që përtej njohjes së tij, kishin një jetë të tyren individuale. Por tanimë gjithçka është kryer, libri është në duar të lexuesit dhe me gjithë emocionin primar se si do të pritet, Nasho Jorgaqi ndihet më i qetë. “Më duket se kreva një detyrim shpirtëror, po akoma më shumë një detyrë shoqërore që rrëfeva për disa prej miqve dhe kolegëve të mi, ashtu si i njoha unë, duke treguar për shpirtin dhe mendjen e tyre, të cilat s’kam të drejtë t’i marr me vete”.
Si më kujtohen….
Lasgush Poradeci
Rruga për te Lasgushi ishte me zigzage, plot kundërthënie, teksa ndryshe dukej e ndryshe ishte në të vërtetë. Duhet të tregohesha i vëmendshëm dhe i durueshëm për të kapur thelbin e natyrës së tij si njeri dhe si artist.
Ali Asllani
Ishte një natyrë e hapur, e butë, delikate, tepër i mirësjellshëm dhe çuditërisht i komunikueshëm me ne brezin e ri. Ndonëse ishte më i moshuari i brezit të tij dhe me emër shumë të nderuar, poeti nuk vihej në rolin e prindit apo të mjeshtrit, po tregohej i arsyeshëm, i thjeshtë e deri dhe intim.
Mitrush Kuteli
Drama e jetës dhe e artit që përjetonte, e bënte të përmbajtur, shpesh të mbyllur, nuk të falte kollaj miqësi e aq më tepër, rrallë të jepte konfidencë. Çdo gjë varej nga situatat që krijoheshin dhe në raste të veçanta ai shpërthente. Pikërisht atëherë mund ta njihje me të vërtetë. Ata që e kishin njohur para “vdekjes” së tij civile, flisnin për ndryshime të thella që kishin ndodhur brenda natyrës së tij. Pak i kish mbetur nga humori i dikurshëm. Ish bërë më serioz, më i menduar. Shquheshin tek ai hije brengosëse, por ngaherë qe dinjitoz, i matur.
Ismail Kadare
..Përshtypja e takimit të parë qe dukja. I ftohtë, indiferent, tepër i kursyer në fjalë, një natyrë konstante. Por çuditërisht nga brenda ai nuk ishte i tillë. Këtë do ta kuptoja kur, në një kohë të shkurtër, ne u afruam e nisëm raportet miqësore. Ai ishte inteligjent, tepër i mprehtë e i hollë në mendime, serioz dhe i thellë për moshën që kish, me shije të kultivar, por dhe i thjeshtë e pa poza, i lirshëm, herë-herë hokatar e i muhabetit në rrethin e tij të ngushtë…
Nonda Bulka
Natyra e tij e çiltër, e gëzuar, humori i hollë e i mençur të bënte të harroje moshën, diferencat e përvojës e të kulturës dhe të ndiheshe shok e mik me të. Edhe pse e kishte njohur zulmën e suksesit letrar në vitet ’30, duke qenë bashkëkohës i denjë dhe “rival” i Migjenit, ai tregohej modest dhe kjo e bënte shumë të afërt me brezin tonë.
Sejfulla Malëshova
Për arsye të ndryshme, raportet do të qenë zyrtare, përjashto disa raste të rralla, kur krijoheshin situata apo hapeshin shtigje komunikimi dhe hynte në mes një farë intimiteti. Ishte hijerëndë, tepër serioz, fjalëpakë dhe kjo i vështirësonte marrëdhëniet përtej punës. Jeta prej militanti revolucionar, detyrat e rëndësishme, detyrat e rëndësishme që kishte kryer gjatë luftës dhe pas çlirimit, diskriminimi dhe persekutimi nga shteti i vet, s’kish si të mos e hermetizonin natyrën e tij.
ALMA MILE











