“Jemi ‘Republikë e 1-shit’, autokraci!”- Ish presidenti Bamir Topi: Parlamenti, më i dobët i kohës së pluralizmit! Thirrjet e opozitës për protesta, të turpshme

Dec 12, 2025 | 22:43

Ish-presidenti Bamir Topi, i pyetur nëse Shqipëria sot funksionon si Republikë Parlamentare, u përgjigj prerazi duke thënë “kurrsesi”, ndërsa e cilësoi si “Republikë e 1-shi” dhe autokraci.

topi

“Ne jemi Republikë Parlamentare në letër, je akoma më keq se sa një republikë e ekzekutivit, se je Republikë e 1-shit”, tha ai, ndërsa shtoi se një republikë ekzekutive do të kishte transparencë dhe vendimmarrje të matur, ndërsa sot vendimet merren në mënyrë individuale.

Më tej ai e cilësoi Kuvendin aktual si më të dobëtin e pluralizmit, madje edhe duke e krahasuar me kohën e komunizmit.

“Si mund të ketë Republikë Parlamentare sot, ky është Parlamenti më i dobët i pluralizmit. Edhe në komunizëm ka pasur njerëz më të formuar se ata që shohim atje”, tha ai.

I pyetur nëse një opozitë më e fortë do të krijonte një realitet tjetër, Topi tha:  “Minimalisht po, maksimalisht nuk e them dot. Nuk është çështje vetëm e opozitës, është çështje e shoqërisë.”

Më tej ai ironizoi deklaratat e kreut të opozitës për të bërë demonstratën më të fuqishme që ka bërë ndonjëherë, deklarata të cilat i cilësoi si tallje dhe të turpshme.

“Kur unë dëgjoj pastaj, shefin e opozitës për të bërë demonstratën më të fuqishme që ka bërë ndonjëherë, kjo është tallje e radhës. Është turp i madh të vazhdosh me këtë lloj komunikimi me njerëzit që i ke tradhtuar. Turp i madh”, tha Topi.

Pjese nga intervista:

Pyetje: A jemi në sot Republikë Parlamentare?

Topi: Kurrsesi! Ne jemi Republikë Parlamentare në letër, je akoma më keq se sa një republikë e ekzekutivit, se je Republikë e 1-shit. Po të ishte republikë e ekzekutivit do kishe respekt për mbledhjet e qeverisë dhe vendimmarrjet e qeverisë që bëhen të matura, transparente. Si mund të jetë Republikë Parlamentare sot, ky është Parlamenti më i dobët i pluralizmit. Edhe në komunizëm ka pasur njerëz më të formuar se ata që shohim atje.

Pyetje: Pra, autorakci?

Topi: Sigurisht, mund t’i vë çfarëdolloj emri, vetëm demokraci nuk i thuhet kësaj. Çfarë demokracie është kjo? Nuk ka respekt, vendimmarrjet bëhet individuale, tentativa që atë përgjegjësi që kë ti ta kalosh edhe tjetrit. Kanë përgjegjësi kolektive për ato vendime që kanë marrë, që kanë përfshirë edhe shumë të tjerë. Kanë futur në lojë shumë të tjerë.

Pyetje: Në një situatë si kjo, nëse opozita do ishte tjetër, do kishim një realitet tjetër?

Topi: Minimalisht, maksimalisht nuk e them dot. Nuk është çështje vetëm e opozitës. Është çështje e shoqërisë.

Pyetje: Si e shihni shoqërinë

Topi: Të pa interesuar fare. Një shoqëri që kur shkon në Rinas sheh njerëz që shkojnë në Europë dhe kur kthehen, sheh pa fund njerëz, nuk ke një vend të lirë. Pra , kjo shoqëri ka fut mekanizma që atë që nuk e gjen këtu, e gjen atje. Ka gjetur mënyra të zgjuara për t’i ikur këtij llumi këtu.

Kur unë dëgjoj pastaj, shefin e opozitës për të bërë demonstratën më të fuqishme që ka bërë ndonjëherë, kjo është tallje e radhës. Është turp i madh të vazhdosh me këtë lloj komunikimi me njerëzit që i ke tradhtuar. Turp i madh. Një vend që boshatiset  dhe ti pretendon që do bësh demonstratën më të fuqishme që ka ndodhur. Ti shiko pamjet filmike, sa kanë qenë në 90’, shiko sa janë sot.

© Panorama.al

Te lidhura