Ish-deputeti i PS: Operacioni amerikan për arrestimin e Maduros do mbetet në librat e historisë! Kirurgjikal dhe mesazh për drejtuesit autokratë!

Jan 5, 2026 | 21:33

Operacioni amerikan në Venezuelë për arrestimin e Nicolas Maduro do hyjë në librat e historisë, pasi ishte perfekt dhe rezultativ.

nicolas maduro (1)

Kështu u shpreh sot në “News 24” ish-deputeti socialist, njëkohësisht ish-komando, Denis Deliu, për aksionin e “Delta Forcë” në arrestimin e presidentit venezuelian bashkë me gruan e tij.

“Ky operacion do hyjë në librat e historisë, sepse ishte i pashembullt për mënyrën se si u bë dhe shkalla e tij. Maduros iu dhanë disa opsione dhe mundësi, por ai jo refuzoi por arriti edhe të kërcënojë e të kundërshtojë. Ky operacion tregoi fuqinë e SHBA-ve, ishte operacion i mrekullueshëm”, tha Deliu për “Studio 24”.

Ai e quajti ndërhyrjen kirurgjikale dhe të suksesshme, me njerëz që i bëjnë gabim llogaritë dhe gjithnjë përfundojnë si Maduro.

“Ndërhyrje kirurgjikale dhe operacion shumë i suksesshëm. Jep mesazhin se nëse je në rrugë të gabuar dhe s’i bën mirë llogaritë do përfundosh i arrestuar. SHBA-të e kishin person të hetuar dhe në kërkim për trafikimin e lëndëve narkotike, kurse faktori ndërkombëtar nuk ia njihte zgjedhjet”, u shpreh ai.

denis deliu

Në fund ish-deputeti socialist theksoi se droga po shkatërron rininë amerikane, ndaj edhe SHBA-të kanë shpallur luftë ndaj karteleve dhe grupeve kriminale, kurse mesazhi është se njerëzit autokratë gjithnjë bien.

“Droga po rrezikon edhe brezin e ri në Amerikë ndaj është ndryshuar strategjia duke nisur sulmin me luftë ndaj drogës dhe organizatave kriminale. Por ishte edhe një mesazh ndaj njerëzve autokratë”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura