Izraeli ka mirëpritur rezolutën e miratuar sot në Kuvend duke e shpallur Iranin si shtet sponsor të terrorizmit.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar e cilëson rezolutën e miratuar nga Kuvendi si historike, ndërsa shton se kjo është një tjetër dëshmi e dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë.
“E vlerësoj kryeministrin shqiptar @ediramaal dhe Kuvendit të Shqipërisë për rezolutën historike të miratuar sot, duke e shpallur Republikën Islamike të Iranit një shtet mbështetës të terrorizmit.
Sipas fjalëve të rezolutës: Terrorizmi në të gjitha format e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për shoqëritë demokratike. Ky është një tjetër demonstrim i dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë.”, ka shkruar ai.

Kuvendi e miratoi sot rezolutën që shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit me 79 vota të socialistëve, pasi opozita bojkotoi seancën. Pati vetëm një abstenim nga deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, por prezent nga opozita ishte edhe deputeti i Mundësia, Erald Kapri.
Përmes kësaj rezolute, Kuvendi i kërkon qeverisë që të shpallë organizata terroriste Gardën Revolucionare të Iranit dhe Hezbollahun në Liban, që mbështetet nga Teherani, duke iu bashkuar SHBA dhe disa vendeve evropiane, të cilat e kanë ndërmarrë më parë këtë përcaktim.
Pas votimit në Kuvend dhe bojkotit nga opozita, PD doli me një njoftim zyrtar duke thënë se e shpall Gardën Revolucionare si organizatë terroriste.
“Partia Demokratike e Shqipërisë shpall Gardën Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste. Ajo e cilëson shtetin obskurantist të Ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob.”
© Panorama.al












