“Hodhën çakëll për t’i mbyllur sytë njerëzve!”- Rruga e degraduar, banorët e Thumanës në protestë: Skandal, 500 metra është aksi! Na premtuan dalje në autostradë

Feb 28, 2026 | 11:36

Banorë nga fshatrat e Njësisë Administrative Thumanë, protestuan sot për të tretën herë radhazi pranë nënkalimit të autostradës Thumanë–Kashar, duke bllokuar qarkullimin.

thumane proteste

Shkak i protestës është gjendja e rënduar e rrugës së Gramzës, e cila është dëmtuar nga automjetet që devijojnë nga autostrada.

Banorët akuzojnë mosinteresin e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Bashkisë Krujë për investime dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge prej rreth 500 metrash, që detyron komunitetin të marrë masa për të tërhequr vëmendjen e institucioneve.

“Këto makinat e mëdha na e kanë dëmtuar, 500 metra rrugës është. Vij prej pune nga Thumana deri në Gramës, dua tre orë të shkoj të shtëpia. 500 metra rrugë është, të na e shtrojnë me asfalt. Të mos kalojnë makinat e tonazhit të rëndë, ose të bëjnë rrethrrotullimin. Erdhën hodhën çakëll për t’i mbyllur sytë njerëzve”, tha njëri prej protestuesve.

“Nuk është hera e parë që po bëhet protesta, nuk po kërkojmë diçka të veçantë, 500 metra rrugë ta shtrojnë se nuk i kushton asnjë. Ky ka qenë asfalt i rregullt, e kanë prishur. Një rrugë 500 metra duam, një ditë punë e kanë. Na premtuan dalje në autostradë, kjo është skandal. Kalojnë makinat e tonazhit të rëndë”, tha një tjetër.

Banorët apeluan drejtpërdrejt tek institucionet shtetërore për të ndërhyrë në rikonstruksionin e rrugëve të dëmtuara në Krujë, një nga zonat më të neglizhuara dhe më pak të investuara nga qeveria.

© Panorama.al

Te lidhura