Ka vijuar me debate të forta seanca paraprake e gjyqit në GJKKO ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të tjerëve, ndaj të cilëve SPAK ka ngritur një sërë akuzash.
Kërkesat e radhës për trupën gjykuese kanë qenë ato të avokatëve për 4 të pandehur, që duan veçimin e çështjeve të klientëve të tyre dhe vijimin me gjykim të shkurtuar.
Prokurori Ols Dado nuk ka qenë dakord, duke u shprehur se në fillim duhen shqyrtuar kërkesat paraprake para se të kalohet tek procedura e shkurtuar.
Kurse avokati i Veliajt, ish-deputeti socialist Plarent Ndreca, tha se dosjes i mungonin 24 fashikuj dhe ai nuk mund të bënte mbrojtje efektive pa i shqyrtuar ato.
Sokol Hazizaj, që përfaqëson si avokat shoqërinë “Kontakt” dhe biznesmenin Fatmir Bektashi kërkoi mëvetësim.
“Në seancën e kaluar e nderuar gjykatë unë kam kërkuar ndarjen e çështjes, po ashtu edhe gjykimin me procedurën e gjykimit të shkurtuar”, tha ai.
Kurse prokurori i SPAK, Ols Dado, tha se:
“Nuk jemi fare tek ky moment, ju lutem të konsumojmë kërkesat paraprake, pastaj të kalojmë tek ai moment procedurial për gjykimin e shkurtuar”.
Gjykata vlerësoi se do t’i dëgjojë kërkesat paraprake të mbrojtjes, në mënyrë që të shprehej më pas.
Në këtë mënyrë edhe avokatja Kristina Marku, tha për Ina Goxhën se kërkojë gjykim të shkurtuar dhe veçimin e çështjes, se nuk mund të jetë pjese e një gjykimi me shumë te pandehur, për shkak se disa janë më gjykim të zakonshëm.
Ivi Rrokaj, që mbron të pandehurën Flutura Xhani, gjithashtu u shpreh se “kërkon gjykim të shkurtuar dhe ndarjen e çështjes, si dhe dërgimin e çështjes për gjykim në një tjetër gjykatë, pasi nuk është kompetencëe kësaj gjykate”.
Avoakti Lulëzim Bajramemaj, që mbron të pandehurën Frosina Bollo dhe shoqërinë e saj, tha se:
“Kërkojmë gjykim të shkurtuar dhe ndarjen e çështjes në lidhje vijim e gjykimit të çështjes”.
Pretendime shtesë paraqiti edhe avokati i kryebashkiakut Veliaj, Plarent Ndreca:
“Të mbrojturit prej meje i mungojnë 24 fashikuj, ne jemi pa akte dhe nuk mund të bëjmë një mbrojte efektive”, tha ai.
Vetë kryebashkiaku Erion Veliaj nuk u paraqit në seancën e sotme, duke u shprehur nga paraburgimi ku qëndron prej 10 shkurtit 2025, se do përfaqësohej nga avokati.
© Panorama.al












