
Flet bashkëkryetari i komisionit për reformën zgjedhore.
“PS, e hapur për korrektim sistemi, partitë e vogla të djathta t’i bëjnë presion PD-së”.
Bashkëkryetari socialist i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri, apelon maxhorancën të mos vonojë reformën zgjedhore. Sipas tij, nëse puna e komisionit do të shtyhej përtej afateve të miratuara, ajo do të çonte në një reformë të minutës së fundit, duke rrezikuar standardet dhe cilësinë e zgjedhjeve. Gjiknuri shprehet se PS është e hapur për korrektim kombëtar të sistemit proporcional rajonal dhe i kërkon dhe PD të shprehë këtë vullnet.
Zoti Gjiknuri, u mbush një muaj nga ngritja e komisionit të reformës zgjedhore dhe duket se shumë pak ka lëvizur në këtë drejtim, a mos po rrezikohet afati i rënë dakord mes palëve që është marsi i 2012-s?
Komisioni filloi punë në 30 nëntor dhe deri më tani ka kryer disa punë të nevojshme për funksionimin normal të tij. Njëkohësisht është hapur edhe procesi i konsultimit me aktorët relevantë, parti politike jo parlamentare, organizata jo qeveritare dhe institucione shtetërore. Një pjesë e tyre kanë sjellë propozime, të tjerët po e bëjnë këtë punë në vijim. Më pas do të zhvillojmë seancat dëgjimore tematike me qëllim diskutimin e propozimeve të tyre. Në janar pritet të caktohet edhe eksperti i ODHIR, i cili do t’i atashohet komisionit, siç është përcaktuar në vendimin e Kuvendit. Pra, puna vazhdon, paçka se koha e mbetur është kritike, por edhe e mjaftueshme nëse gjërat shkojnë mirë dhe ka vullnet. Mjafton t’ju kujtoj se puna për hartimin e Kodit Zgjedhor në vitin 2008 nuk ishte më shumë se katër muaj efektiv. Gjithçka varet nga vullneti politik, pasi problemet janë të identifikuara dhe zgjidhjet për to ekzistojnë, të paktën në nivel ligjor. Suksesi më vonë do të varet nga sjellja e aktorëve, megjithëse përvoja na tregon se kjo e fundit është një komoditet i rrallë në zgjedhje.
Ju thoni se i keni identifikuar problemet dhe zgjidhjet. Mund të na thoni se cilat janë këto?
Problemet tashmë janë të njohura për të gjithë, si nga përvoja e hidhur, por edhe nga vlerësimet e misioneve vëzhguese të zgjedhjeve. Një listë e plotë e problemeve, të cilat do të adresohen, është bërë tashmë publike dhe është përfshirë në axhendën e komisionit. Disa janë më kritike dhe këtu do të veçoja procesin e listës të zgjedhësve, e cila vazhdon të mbetet një gangrenë politike. Identifikimi i zgjedhësve dhe integriteti i procesit të votimit, pasi në çdo raport vëzhgimi votimi familjar, fiktiv apo mbushja e kutive vazhdojnë të konsiderohen si shkelje serioze. Në disa zona kjo gjë dallohet dhe me një krahasim të thjeshtë. Mjafton të shikosh përqindjen e pjesëmarrjes në votime në qarkun e Kukësit e Dibrës e do kuptosh që ajo është të paktën 10% mbi mesataren e vendit, paçka se në këto qarqe popullsia për shkaqe objektive, që dihen nga të gjithë, ka emigruar masivisht dhe nuk jeton më aty. Për të mos folur për administratën zgjedhore, kryesisht KQZ-në, e cila me veprimet e fundit të motivuara politikisht e në kapërcim të kompetencave që i lejonte ligji, minoi besimin e palëve në zgjedhje. Fjalia e fundit nuk është imja, por e raportit të ODHIR-it për zgjedhjet e vitit 2011. E duke vazhduar me procesin e ankimit, i cili jo vetëm nuk garanton hetim administrativ e akses në dokumentacion, por shpërfill çdo praktikë të unifikuar si në KQZ, ashtu edhe në Kolegj Zgjedhor, duke ndjekur standarde të ndryshme e duke dhënë vendime kontradiktore. Fatmirësisht në këtë konkluzion kanë arritur edhe misionet e vëzhgimit ndërkombëtar, të cilët po kërkojnë me forcë rishikimin e formulës së kompozimit të KQZ dhe rishikimin e sistemit të apelimit. Me pak fjalë, procesi i administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri meriton një shkundje për të kthyer besimin në zgjedhje. Pasi standardet e zgjedhjeve nuk përfshijnë vetëm transparencën dhe konkurrimin, por edhe miradministrimin, gjë që në Shqipëri mungon.
Por së fundmi, Komisioni i Venecias ku edhe ju morët pjesë, i dha të drejtë KQZ-së për votat e hedhura gabim të cilat duhet të përfshihen në rezultat?
Ky është spekulim naiv, pasi kushdo që lexon opinionin, e kupton që dokumenti i Komisionit të Venecias nuk kishte këtë qëllim. Ai rekomandon që kjo çështje të rregullohet me ligj, duke konfirmuar edhe një herë që akti i KQZ për këtë çështje nuk ka bazë ligjore, siç ka thënë më parë edhe ODHIR. Pasi praktika që ndoqi KQZ përbënte një rregull të ri të paparashikuar nga ligji dhe, si rrjedhim, u quajt rëndom nga çdo organizëm ndërkombëtar si ndryshim i rregullave të lojës, pasi loja kishte mbaruar. Madje, në opinion e Venecia-s thuhet se KQZ nuk mund të vepronte si KZAZ dhe veprimet e saj shkuan përtej asaj që lejonte ligji (faqe 11). Ata që dolën e trumbetuan si sukses faktin që Komisioni i Venecias rekomandon që votat e gabuara të rregullohen me ligj, duhet të pranojnë që në zgjedhjet e Tiranës vepruan pa ligj. Në shtetin e së drejtës, kjo nuk është lejueshme. Se vepruan në atë mënyrë, zgjedhjet në Tiranë u konsideruan jo të mira nga aktorët ndërkombëtarë.
Cilat janë zgjidhjet që i garantojnë eliminimin e problemeve në zgjedhje? A ka PS propozime konkrete?
Standardet e zgjedhjeve demokratike sipas kritereve të Kopenhagës kërkojnë paanshmëri të shtetit në zgjedhje, dhe jo siç ndodh këtu tek ne, që opozita konkurron me shtetin si në një ndeshje biblike mes Davidit me Goliath. Meqenëse kjo do të dojë kohë në Shqipëri dhe mbi të gjitha një qeveri tjetër, të vetmet gjëra që mbeten janë disa garanci më shumë ligjore, teknike e organizative me qëllim që të parandalojnë apo evidentojmë paligjshmërinë në proceset zgjedhore. Duke filluar me kufizime të mëtejshme në përdorimin e burimeve publike dhe influencën e paligjshme në favor të partisë qeveritare. Kufizime të një rrethi zyrtarësh të lartë në kandidim që buron nga Kushtetuta, por që ende nuk ka gjetur materializim në Kodin Zgjedhor. Për të vazhduar me rishikim dhe korrigjim serioz të procesit të përgatitjes së listës së zgjedhësve, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, siç rekomandon dhe ODHIR, të mbështetur nga teknologji e të dhëna të disponueshme, të cilat mund të zgjidhin njëherë e mirë këtë problem. Gjithashtu jemi duke punuar edhe për zgjidhje teknologjike, të realizuara në një sërë vendesh dhe bazuar në kapacitetet që disponohen në vend, për të ndihmuar procesin e identifikimit gjatë votimit, me qëllim shmangien njëherë e mirë të votimit fiktiv apo akuzave dhe frikës së përdorimit të dokumenteve false në votim. Përdorimi i teknologjisë së informacionit edhe në procesin e numërimit e shpalljes së rezultateve mund t’i japë zgjidhje përfundimtare kaosit në numërim apo akuzave tashmë të provuara të tjetërsimit të votës. Ndërkohë që rikompozimi i KQZ-së dhe ndërtimi i një skeme efikase ankimimi, që siguron profesionalizëm dhe pa-anshmëri, mbetet një sfidë e vështirë, nisur nga gjendja e institucioneve dhe Gjyqësorit në vend. Jemi duke hulumtuar dhe do të ofrojmë propozime ligjore, që të paktën synojnë të kthejnë besimin në administratën qendrore zgjedhore, duke krijuar mundësi për më shumë transparencë dhe profesionalizëm në këtë strukturë, larg kthetrave të politikës. Një institucion i ribërë dhe që merr përsipër të implementojë masat e mësipërme, mund të krijojë një premisë për një proces më të mirë zgjedhor dhe të rikthejë besimin e palëve në procesin zgjedhor. Por kjo mbetet një sfidë e hapur kur mendon përvojën e zgjedhjeve me Sali Berishën Kryeministër.
A ka pasur vullnet nga maxhoranca për t’i parë dhe adresuar si ju këto probleme deri më tani?
Është ende herët për të dhënë një konkluzion të qartë, por disa shenja të para më shqetësojnë. Duket sikur maxhoranca është e prirë t’i shohë këto probleme si sporadike dhe që mund të zgjidhen me disa ndryshime të vogla teknike, duke preferuar statuskuonë. Preferenca e statuskuosë është e kuptueshme për palën që ka përfituar prej saj, por zgjedhjet kërkojnë një proces besimi dhe opozita është më shumë se kushdo e interesuar për të ofruar zgjidhje që adresojnë problemet reale të zgjedhjeve dhe që shkojnë përtej statuskuosë. Shpresoj që të mos jetë edhe një taktikë për zvarritje të procesit tej afateve të pranueshme, me qëllim fitimin e kohës dhe përzierjen e proceseve të tjera politike në këtë proces. Nëse kjo ndodh, jo vetëm që do të rrezikonte statusin e vendit kandidat sipas vetë zyrtarëve të Brukselit-pasi përfundimi me sukses i reformës zgjedhore është kushti kryesor-por mbi të gjitha do të rrezikonte vetë zgjedhjet e ardhshme. Arnimet e çasteve të fundit që nuk adresojnë asnjë nga problemet kryesore të zgjedhjeve, janë recetë e sigurt për krizë. Uroj që kjo të mos të ndodhë dhe palët ta përfundojnë reformën zgjedhore në kohë.
Çështja e ndryshimit të sistemit zgjedhor duket sikur është lënë jashtë vëmendjes, megjithëse ju jeni shprehur të gatshëm ta hapni atë për ta riparë. A do të zërë kjo vend në punën e komisionit? Ndërkohë që partitë e vogla po akuzojnë për një aleance të re PD-PS kundër tyre…
Për sistemet zgjedhore nuk ka rekomandime specifike, pasi ato mbeten një çështje e zgjedhjes së vetë shteteve në bazë të traditës dhe kompromiseve politike. Kështu ka ndodhur edhe këtu tek ne. Por mundësia e rishikimit të sistemit zgjedhor ka kohë që është hedhur në tregun politik, së pari nga vetë Sali Berisha. Në mënyrë të vazhdueshme, ai ka përsëritur se është i hapur për ta riparë sistemin zgjedhor, pasi sistemi aktual u ka rënë në qafë partive të vogla. Së fundmi, ka ndryshuar mendje, por padrejtësia e sistemit vazhdon të qëndrojë. Pasi vota e shqiptarëve është e barabartë dhe subjektet që kandidojnë, parimisht duhet të trajtohen njëlloj ose afërsisht njëlloj. Me sistemin që ne kemi kjo nuk ndodh, duke krijuar anomali në shpërndarje mandatesh dhe ku në realitet PD është përfituesja më e madhe në krahasim me votat që ka marrë, gati 9 mandate më shumë seç i takojnë në proporcion me votat. Dhe kjo anomali mund të korrigjohet me ndonjë metodë të mundshme korrigjimi, e cila do të mundë t’u japë hakën çdo partie politike në bazë të votave, por edhe do të krijonte larmishmëri politike. Dikush këtë mund ta shihte me frikë, si fragmentim dhe recetë për destabilitet në qeverisje. Përvoja tregoi që kontraktimi gati në bllok i dy forcave politike sjell më shumë dëm për progresin demokratik të vendit, si dhe bëhet pengesë serioze për qarkullimin e elitave politike apo krijimin e mundësive të reja në mjedisin politik, gjithmonë e më shumë dinamik. Prandaj çështja e rishikimit të sistemit zgjedhor do t’i bënte vetëm mirë politikës shqiptare, gjithmonë duke ruajtur sistemin proporcional rajonal, por duke parë mundësi korrigjimi që adresojnë pabarazinë e dukshme në votë. PS është e hapur dhe për këtë kërkon një proces të gjerë konsultimi në komision dhe jashtë tij, me qëllim gjetjen e një konsensusi nga të gjitha palët. E vetme nuk mund ta çojë përpara këtë proces, siç edhe nuk mund të bllokojë reformën për standardet zgjedhore vetëm për këtë shkak. Ndërkohë, disa nga partitë e rreshtuara në kampin qeveritar duhet që përpara se të drejtohen apo të akuzojnë PS-në, të ushtrojnë trysninë e duhur brenda koalicionit qeverisës, pasi janë ato “planktonet elektorale” me të cilat PD është ushqyer në zgjedhjet e fundit.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











