Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, votoi më herët në selinë e Partisë Demokratike, në kuadër të garës së primareve, ku do të zgjidhen kandidatët për të garuar si deputete në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Një përshëndetje të përzemërt të gjithë demokrateve dhe demokratëve që kanë votuar dhe do votojnë sot për të shprehur vullnetin e tyre për kandidatin që ata dëshirojnë t’i përfaqësojë në parlamentin e Shqipërisë.
Kjo është një ditë e rëndësishme për PD, është një ditë e rëndësishme për pluralizmin politik në Shqipëri dhe për lirinë.
PD prin në betejën e saj për liritë dhe të drejtat e anëtareve dhe anëtarëve të saj, e qytetareve dhe qytetarëve të Shqipërisë.”, tha Berisha gjatë prononcimit për mediat, pasi votoi.

Sot zhvillohet gara e primareve në PD, përmes së cilës do të caktohen deputetët kandidatë të PD-së, që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Votimet nisën në orën 08:00 dhe do të zgjasin deri në orën 18:00, ndërsa çdo anëtar ka të drejtë të votojë vetëm një kandidat.











