FMN: Ju shpëtuan privatizimet, në 2012 rritje ekonomike 3.5%

Dec 22, 2011 | 11:14
Selia e Bankes Boterore

Shqipërinë e shpëtuan nga kriza një sërë faktorësh, duke filluar që nga privatizimet, politikat fiskale të qeverisë, politika monetare dhe stimuli që iu dha biznesit përmes kreditimit. Janë këta disa nga faktorët që ekspertë të FMN-së mendojnë se janë pika kyçe që bënë që vendi ynë të ecte në kah të kundërt me vendet e tjera të grupit të Europës Juglindore, duke evituar recensionin. Punimi i fundit i ekspertëve i qëndron besnik parashikimit të fundit të Fondit Monetar për një rritje ekonomike 2.5 për qind për këtë vit dhe 3.5 për qind vitin vjetër.
Raporti
I publikuar dy ditë më parë, punimi i tre ekspertëve mban titullin “Impakti i krizës globale në Europën Juglindore” dhe bën një analizë të mënyrës se si u përballua kriza në këtë rajon dhe të politikave që ndoqën shtetet. Kështu, një ndër detajet që theksohet qysh në fillim, është ai lidhur me ecurinë e ekonomisë. Nëse në të gjitha vendet e grupit ekonomia kaloi në recension, në Shqipëri kjo nuk ndodhi, madje pati rritje ekonomike. Sipas ekspertëve të FMN-së, rol kanë pasur politikat fiskale të ndjekura, të cilat ishin disi më të kujdesshme dhe më të vëmendshme sa i përket balancës së jashtme. “Shqipëria qëndron si i vetmi vend në grup që u tregua e aftë të mundësonte një stimul fiskal të lirë jo-të papërfillshëm (pjesërisht financuar nga privatizimet) që siguruan stabilizatorë automatikë në mbështetje të ekonomisë”, thuhet në raportin e FMN-së. Një faktor i vlerësuar pozitivisht ishte ajo i kursit të këmbimit të lirë dhe jo fiks. Raporti i FMN-së ngre pikëpyetje lidhur me faktorët që ndikuan në kalimin e krizës nga vende si Shqipëria dhe Kroacia, të cilat nuk u asistuan nga ky institucion. Në rastin e Kroacisë kemi një borxh të menaxhueshëm pasi është i ulët, në rastin e Shqipërisë kemi investitorë që treguan besim për stabilitetin ekonomik afatmesëm dhe vendi ynë, pavarësisht borxhit dhe deficitit të lartë, arriti që të kalonte krizën. Ky vlerësohet edhe si një nga zhvillimet që duhet të merret në konsideratë për të shpjeguar efektin krizë në rajon dhe sidomos për vendet veç e veç. Nga ana tjetër, raporti thekson se Shqipëria nuk pati as asistencën financiare të FMN-së dhe, pavarësisht kësaj, vazhdoi të rritej ekonomikisht. Borxhi publik është një temë që nuk kalohet pa u përmendur. Edhe pse vlerësohet fakti që pjesa më e madhe është në monedhë të brendshme, sërish theksohet që ulja e tij vjen si kërkesë e kohës kur Shqipëria po orienton huamarrjen në tregun e lirë.

3.5 per qind
parashikohet rritja ekonomike për vitin e ardhshëm nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas të dhënave të publikuara për herë të fundit në muajin shtator të këtij viti.

2.5 per qind
pritet të jetë rritja ekonomike e këtij viti, sipas parashikimeve të FMN-së. Qeveria në fillim optimiste ka ulur parashikimin e saj, por sërish është larg FMN-së.

BB, edhe 21.6 milionë dollarë për digat
KESH duket se në këtë fundvit po merr vetëm lajme të mira. Pas miratimit të rritjes së çmimit të shitjes së energjisë nga ERE, marrjen e garancisë së kredisë 45 milionë dollarë nga qeveria, vjen edhe një tjetër financim. Banka Botërore ka vendosur që në drejtim të projektit të sigurisë së digave të shkojnë edhe 21.6 milionë dollarë. Përmes një njoftimi për shtyp, zyra e BB-së në Tiranë bën me dije se ky financim vjen në kuadër të plotësimit të kredisë origjinale të IDA-s prej 35.3 milionë USD. Paratë e mundësuara nga BB-ja do të shkojnë për rehabilitimin e tre hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin. Konkretisht, parashikohet që të bëhet rehabilitimi i ujëshkarkuesve në tri digat e kaskadës së lumit Drin (hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut i Dejës) dhe rehabilitimi i hidrocentralit të Komanit nëpërmjet rinovimit të pajisjeve elektromekanike dhe zëvendësimit të sistemeve ekzistuese të kontrollit, mbrojtjes dhe monitorimit. “Ky financim shtesë do të mundësojë zbatimin e suksesshëm të projektit origjinal, duke kontribuar në këtë mënyrë për sigurimin e hidrocentraleve kryesore në Shqipëri dhe duke ndihmuar në parandalimin e një fatkeqësie të mundshme nga një prishje e digës,” shprehet Salvador Rivera, përfaqësues i BB.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura