DURRES/ Gjendet në një banesë të braktisur, hetim veprimtarisë së 34-vjeçarit në Greqi.
Masakrohet me levë e thikë emigranti i sapokthyer nga Greqia. Policia e Durrësit zbuloi dje trupin e viktimës në një banesë të braktisur në zonën e ish-Kënetës, ndërsa familjarët e tij kishin denoncuar zhdukjen krejt papritur të djalit të tyre pak orë pas mbërritjes në Durrës. Fatbardh Hysi, 34 vjeç, banues në lagjen Nr.14 të qytetit bregdetar u gjet nga banorët e zonës, të cilët më pas sinjalizuan policinë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, viktima kishte marrë plagë të rënda të shkaktuara nga një thikë dhe me mjete të forta. Dyshohet se fillimisht 34-vjeçari është rrahur nga autorët dhe më pas është goditur me levë në kokë e trup, si dhe me thikë. Oficerë të Policisë, të cilët janë angazhuar në zbardhjen e kësaj ngjarjeje bënë të ditur se ka dyshime se trupi i viktimës është fshehur nga autorët në shtëpinë e braktisur, por ai mund të jetë vrarë në një vend tjetër. Nuk dihen ende shkaqet e kësaj vrasjeje, por policia është duke mbledhur të dhëna për veprimtarinë e 34-vjeçarit me origjinë nga Dibra, kryesisht në shtetin fqinj. Paraprakisht, policia bëri të ditur se ai nuk rezulton si një person me precedentë penalë në vendin tonë. Mësohet se ai jetonte si emigrant prej nëntë vitesh në Greqi. Sipas bluve të Durrësit, hetimet janë shtrirë në disa pista, por më shumë përparësi i kanë dhënë pistës se 34-vjeçari mund të jetë vrarë për shkak të ndonjë konflikti që mund të ketë pasur në shtetin grek. Gjithashtu, po hetohet edhe për ndonjë hakmarrje të mundshme, për shkak të ndonjë konflikti personal apo familjar si në Dibër, ashtu edhe në Durrës. Deri më tani nuk është zbardhur ndonjë konflikt i cituar edhe nga vetë familjarët e viktimës. Madje, këta të fundit kanë mohuar të kenë dijeni për ndonjë shkak të mundshëm që mund të ketë ndikuar në këtë krim të rëndë. Sipas denoncimit të tyre, ditën e enjte, djali i tyre, Farbardhi, ishte kthyer nga Greqia për të kaluar festat e fundvitit në familjen e tij. Por, rreth 2 orë pas mbërritjes, ai kishte marrë një telefonatë nga persona ende të paidentifikuar. Pas telefonatës, ai u kishte thënë familjarëve se do të dilte për pak për të pirë një kafe me një mik dhe se nuk do të vonohej. Por vonesa dhe mospërgjigja në telefon ka vënë në alarm familjarët, të cilët i janë drejtuar për ndihmë policisë. Trupi i 34-vjeçarit u konstatua dje nga banorët e zonës rreth orës 16:30, ndërsa identifikimi i tij u bë nga familjarët. Menjëherë në vendngjarje mbërriti policia, e cila nisi punën për zbardhjen e rrethanave në të cilën ka ndodhur ngjarja. Sipas të dhënave të para, rezulton se kemi të bëjmë më një vrasje, të shkaktuar nga një goditje me thikë, si dhe goditje me mjete të forta. Mjekët ligjorë që kanë kontrolluar trupin, thanë se 34-vjeçari ka pasur në shpatull një plagë të thellë, të shkaktuar nga një mjet prerës. Gjithashtu gjatë kontrollit që mjekët ligjorë i kanë bërë trupit të Hysit, kanë konstatuar edhe shenja të tjera të shkaktuara nga goditja me mjete të forta në kokë e fytyrë, por edhe në pjesë të tjera të trupit. Rreth 15 persona janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Durrësit, për t’u pyetur nëse kanë dijeni mbi ngjarjen e rëndë ku mbeti i vdekur emigranti. Vetëm disa minuta pasi është konstatuar trupi i pajetë i shtetasit Fatbardh Hysi, policia ka nisur nga puna për shoqërimin e të afërmve, shokëve të tij, si dhe banorëve të zonës në të cilën u gjet i vrarë 34-vjeçari. Mësohet se pasi janë marrë në pyetje të shoqëruarit, janë lënë sërish të lirë, ndërsa policia është duke punuar edhe me tabulatet e telefonit të viktimës për të identifikuar personin që e kishte nxjerrë atë nga banesa.
Familjarët denoncuan zhdukjen dy ditë më parë
“E telefonuan sapo erdhi në shtëpi, nuk kemi konflikte me askënd” Pasi është konstatuar trupi i një personi, policia vuri në dijeni familjen Hysi që kishte denoncuar zhdukjen e djalit të saj dhe më pas njëri prej tyre identifikoi kufomën e gjetur në godinën katërkatëshe të pabanuar. Pasi rezultoi se trupi i përkiste shtetasit Fatbardh Hysi, policia shoqëroi disa familjarë dhe të afërm të tij për t’i pyetur në mënyrë që të mblidhnin sa më shumë detaje, që do t’i ndihmonin për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Familjarët kanë deponuar se 34-vjeçari nuk kishte pasur ndonjë konflikt. Sipas tyre, ai është kthyer nga Greqia paraditen e së enjtes dhe pasi ka qëndruar rreth dy orë në shtëpinë e tij, është larguar pasi e kërkuan në telefon. “Kur iku na tha se nuk do të vonohej shumë dhe se do të pinte kafe me një mik. Por kaluan shumë orë dhe ai nuk po vinte. E kërkuam në telefon, nuk na u përgjigj. U bëmë merak dhe erdhëm menjëherë në polici të bënim kallëzimin. Ai nuk na kishte thënë se kishte ndonjë problem. Edhe kur u kthye, ne nuk vumë re ndonjë shqetësim te Fatbardhi. S’kemi pasur kurrë problem as këtu, as në Dibër. Ai jetonte në Greqi, ishte me dokumente të rregullta dhe ne nuk dimë të jetë implikuar në ndonjë vepër kriminale atje”, kanë deponuar familjarët e viktimës. l.m
PRECEDENTET
Vrasjet që tronditën Durrësin
Gentian Zguri
Gjatë muajve të fundit kanë ndodhur disa ngjarje të rënda, duke tronditur qytetin e Durrësit. Volejbollisti Juxhin Guza u qëllua me thikë më 14 shtator të këtij viti pranë shtëpisë së tij në Lagjen 5 të qytetit nga persona ende të paidentifikuar. 24-vjeçari u dërgua me urgjencë për në spitalin e Durrësit, por disa orë më vonë ndërroi jetë. Disa ditë më pas, u gjet i djegur në makinën e tij, pranë zonës së Currilave, oficeri i Shërbimit Informativ Shtetëror, Isa Copa. Ndërsa më 13 nëntor, një tjetër vrasje mafioze tronditi qytetin bregdetar, ku u ekzekutua me plumb në kokë një biznesmen tiranas. 35-vjeçari Gentian Zguri u ekzekutua në një nga trotuaret e Durrësit nga persona ende të paidentifikuar. Një tjetër vrasje është ajo e 42-vjeçarit Luan Puja. Babai i dy fëmijëve u qëllua me të paktën 36 plumba në trup nga komshiu i tij, Andrea Berberi, për një borxh. l.m