
POGRADEC – Gjykata e Pogradecit ka dhënë vendimin për vrasjen e Mirela Spahiut, duke dënuar me 21 vjet autorin Halim Hykellari për krimin e kryer më 29 qershor të këtij viti. Vrasësi i 35-vjeçares, e cila u masakrua me një çekiç, është dënuar me 21 vjet burg, ndërkohë që do të vuajë vetëm 14 vite, pasi ka pranuar gjykimin me proces të shkurtuar, gjë që i ka mundësuar edhe uljen e 1/3 së dënimit. Në seancën përfundimtare, 60-vjeçari ka kërkuar mëshirë, duke shprehur edhe pendimin për vrasjen e kryer prej tij, ndërsa nga ana e avokatit mbrojtës është kërkuar edhe ndryshimi i veprës penale. Mbrojtja ka pretenduar ndryshimin e akuzës, nga vrasje me paramendim në vrasje me dashje. Kjo kërkesë nuk është pranuar nga gjykata, e cila ka lënë që mbi 60-vjeçarin të rëndojë akuza e vrasjes me paramendim. Pas kërkesës së organit të akuzës për shpalljen fajtor të të akuzuarit dhe dënimin e tij me 21 vjet heqje lirie, gjykata ka dhënë vendimin e saj duke e dënuar me të njëjtën masë Hykellarin. Ngjarja tronditëse e vrasjes së Mirela Spahiut u regjistrua më 29 qershor të këtij viti, ku gruaja u gjet e masakruar me çekiç në një hotel të qytetit. Trupi i pajetë u gjet në njërën prej dhomave të hotelit ku nëna e dy fëmijëve ishte vrarë brutalisht. Ishte pikërisht pastruesja e dhomës, ajo e cila konstatoi viktimën duke sinjalizuar edhe blutë e Pogradecit për skenën makabre që kishte parë. Pak orë më vonë u zbulua edhe autori i krimit, i cili pranoi se e kishte vrarë 35-vjeçaren, pasi ajo kishte refuzuar kërkesën e tij për martesë. Mirela Spahiu dhe Halim Hykellari kishin së bashku një lidhje intime disavjeçare, gjë që e bëri Hykellarin të kërkojë zyrtarizimin e marrëdhënies dhe martesën me atë që më vonë u shndërrua në viktimën e tij. Refuzimi nga ana e gruas nxiti reagimin e Hykellarit, i cili pasi u takua me Spahiun në ambientet e hotelit, kreu marrëdhënie me të dhe më tej e masakroi me çekiç si dhe i përplasi kokën tek cepi i krevatit derisa ajo gjeti vdekjen. Pas krimit Hykellari u largua nga hoteli për t’i shpëtuar policisë, por u zbulua vetëm disa orë më vonë në banesën e tij. dh.d











