
E shoqja i kërkoi divorcin, burri i vë flakën shtëpisë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës, kur Kastriot Ymeri, 41 vjeç, dogji qëllimisht banesën e tij, fill pas grindjes me bashkëshorten. Banesa e familjes Ymeri, babait të 5 fëmijëve, e cila ndodhet në vendin e quajtur “Kodrat e Beut”, u shkrumbua plotësisht, ndonëse ndihma nga ana e vetë fqinjëve dhe efektivave të zjarrfikëses ishte e menjëhershme. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se 41-vjeçari Kastriot Ymeri, në gjendje të dehur, i ka vënë flakën banesës së tij, në shenjë hakmarrjeje, sepse bashkëshortja Anita Ymeri pas dhunës dhe dehjeve sistematike nga ana e të shoqit ka vendosur të divorcohet. Mësohet se pasi të merrte vendimin për të djegur banesën, burri e ka kërcënuar me fjalë bashkëshorten e tij se do ta vrasë, por në debat e sipër kjo e fundit është larguar, ndërsa fëmijët, i madhi 19 vjeç dhe i vogli 10 vjeç, kanë ikur nga shtëpia pak më vonë, bashkë me gjyshen e tyre. Pesë fëmijët dhe bashkëshortja janë strehuar në banesën e vëllait të këtij të fundit, Çelo Ymeri, i cili tregon se “pasi kërcënoi të shoqen duke thënë se do ta vriste, ne e dërguam në Cërrik, duke e fshehur në pallat tek njerëzit tanë. Fëmijët e tij dhe nënën time i mora në shtëpi, duke i shpëtuar nga rreziku, sepse Kastrioti është tip i dhunshëm”. Ndërkaq, banorët e zonës, por edhe vetë vëllai i 41-vjeçarit panë të dilte tym nga banesa, por menduan se autori kishte ndezur zjarrin. “Kastrioti kishte dalë nga banesa dhe kishte shkuar te lokali i lagjes dhe i lumtur, në gjendje të dehur, u tregon komshinjve se i kishte vënë zjarrin shtëpisë së tij. Ata më marrin në telefon duke më thënë se Kastrioti po djeg shtëpinë”, tregon Çelo Ymeri. “Kur shkoj në banesën e Kastriotit, shoh se ai zjarrin e kishte vendosur duke vënë një batanije mbi rezistencë. Ndonëse e kap në kohë zjarrin, disa orendi të dhomës ishin djegur dhe pjesa tjetër e shtëpisë
nuk ishte përfshirë nga flakët. Por, pas disa orësh, Kastriot Ymeri rikthehet dhe sheh që shtëpia nuk është djegur. Dhe për herë të dytë shpërndan bar të thatë në të gjitha dhomat, duke i vënë shkrepësen. Me një sëpatë në dorë ai parandalon këdo që tenton të rishuajë zjarrin, duke shkaktuar panik tek banorët. Ndonëse zjarrfikësja ka ardhur për të izoluar flakët, ka qenë e kotë, sepse banesa është shkrumbuar e tëra”, tregon vëllai i tij. Mësohet se kishte më shumë se 5 vjet që 41-vjeçari pinte sistematikisht dhe më pas dhunonte familjen. Policia ka arrestuar autorin e ngjarjes.
CERRIK/ MIRANDA SADIKU











