Dominimi anglez në Europë, jo vetëm çështje financash

Jan 30, 2026 | 16:36

Plot pesë klube të Premier Ligës janë kualifikuar për raundin e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve: Arsenali, Liverpuli, Totenhemi, Çelsi dhe Mançester Siti janë në tetë vendet e para. Ndërsa Njukasëll, në “play-off”, ende mund të shpresojë t’u bashkohet atyre. Ky është një dominim absolut në një format të zgjeruar me 36 klube dhe që synon të nxjerrë në pah ekipe të larmishme, por në realitet nuk ka qenë kurrë më shumë se kaq, një “fushëbetejë” vetëm për klubet angleze. Qartësisht duket një çështje fuqie ekonomike e pakrahasueshme në Evropë! Mirëpo nuk varet thjesht nga paratë, pasi fusha ka nxjerrë detaje të tjera.

champions

FUQIA EKONOMIKE – Faktori i parë mund të jetë vërtet fuqia dërrmuese ekonomike e klubeve angleze, të cilat kanë tendencë të bëjnë çfarë të duan në tregun e transferimeve. Ekzistojnë kufizime të vendosura nga rregulloret e brendshme të “Fair Play Financiar”, të cilat i detyrojnë ata të bëjnë marrëveshje të shumta dalëse, por të ardhurat janë aq të larta sa diferenca i lejon ata të shpenzojnë miliona për ndërtimin e skuadrave. Vitin e kaluar, Premier Liga regjistroi transferime me vlerë mbi 3.9 miliardë euro, një shifër që tejkalon ato të Bundesligës, Serisë A, La Ligas dhe Ligës franceze të kombinuara bashkë. Pra, është e vështirë të konkurrosh me klubet angleze, të cilat ndërkohë kanë ndërtuar skuadra të frikshme dhe kanë lënë lojtarë në stol, që do të ishin titullarë në çdo ekip tjetër të Ligës së Kampionëve. Kështu, avantazhi financiar është i pamohueshëm, por një fakt kurioz del prej analizave: gjashtë ekipe angleze janë ndër 10 më të mirat në “Deloitte Money League”, renditja që mat të ardhurat e sezonit të kaluar, por asnjëra prej tyre nuk zë katër pozicionet e para (rasti i parë ky, në 29 vjet që është përpiluar raporti). Liverpul është në vendin e pestë me 836 milionë euro, i ndjekur nga të gjithë të tjerët. Klubi nga “Anfield” është penalizuar nga marrëveshjet tregtare të pafavorshme, krahasuar me Real apo Barça, si dhe nga eliminimet e hershme evropiane, që kanë pasur ndikim me peshë.

FAKTORI FIZIK – Paratë janë një pjesë e madhe e suksesit, por qartësisht nuk janë gjithçka. Krahasuar me ekipet më të mira në Evropë, ato nga Premier Liga kishin një avantazh të konsiderueshëm: futbolli anglez është fizik dhe i detyron lojtarët të përshtaten me një lojë, që nuk ekziston diku tjetër. Kampionati përgatit ekipet për Ligën e Kampionëve, ku ato përballen me kundërshtarë më të hapur, të prirur për të luajtur një lojë më të bukur dhe të disiplinuar në kurriz të fizicitetit. Trendi i fundit që del nga Premier Ligë është përqendrimi tërësisht tek goditjet standarde: Arsenali është një shembull i përsosur me goditjet nga këndi, ku lojtarët shpesh pushtojnë zonën e penalltisë dhe mbështesin njëri-tjetrin, për të provuar të fitojnë epërsinë. Një dredhi taktike nga e cila përfitojnë në çdo ndeshje. Kjo u pa qartë në ndeshjen e “San Siros” kundër Interit, që vuajti shumë nga strategjia e Artetas, tashmë diçka e zakonshme në Angli. Me pak fjalë, ekipet evropiane luftojnë me ritmin intensiv të klubeve angleze, dhe është e natyrshme të bëhet një krahasim me Serie A në vitet ‘90, ku mbizotëronte një situatë mjaft e thjeshtë, si për shkak të fuqisë së ligës ashtu edhe për shkak të dominimit në fushë. Kjo shpjegon sesi Totenhem, një zhgënjim i vërtetë në kampionatin vendës – me një vend të katërmbëdhjetë në renditje dhe 13 lojtarë të dëmtuar -, arriti të mposhtë Borusia Dortmund, ekipin e dytë më të mirë të Gjermanisë këtë sezon.

ANA NEGATIVE – Por në të gjithë ka edhe një anë negative. Nëse Premier Liga i përgatit ekipet e saj për dominim evropian, përse vetëm 3 ekipe angleze kanë arritur të fitojnë Ligën e Kampionëve në vitet e fundit? Kjo është ana tjetër e medaljes, problemi që nuk duket se ka ndonjë shpjegim të vërtetë për momentin: ndoshta, superioriteti i tyre aktual fizik përputhet me një rënie drastike të paraqitjeve në pranverë, prej lodhjes së akumuluar, e cila shpesh çon në eliminime të hershme. Loja angleze merr “haraçin” e saj me kalimin e kohës, veçanërisht në ndeshjet kundër ekipeve evropiane që janë më të freskëta. Aq sa dhe pankinat e gjata dhe rotacionet e shpeshtë, nuk janë të mjaftueshme për të mbajtur ritmin. Një “thembër e Akilit”, që klubet angleze do të donin ta “shëronin” sa më shpejt.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura