Dokle prezanton Igli Totozanin

Dec 27, 2011 | 11:47

Igli Totozani

Nënkryetari i Kuvendit: U përzgjodh pas një procesi model.

Igli Totozani nisi dje zyrtarisht nga puna si Avokat i Popullit. Kandidati i përzgjedhur dhe i propozuar nga Partia Socialiste e që mori vota konsensuale në seancën e fundit parlamentare u prezantua nga nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle. Gjatë këtij prezantimi, anëtari i Kryesisë Socialiste dhe nënkryetar i Kuvendit, vlerësoi mënyrën se si u përzgjodh Totozani nga Partia Socialiste për këtë detyrë. “Për zgjedhjen e zotit Totozani në këtë detyrë pati një konkurrencë të shkëlqyer dhe transparente, ku shumë intelektualë garuan për këtë detyrë. Për herë të parë u zhvillua një proces, i cili duhet aplikuar dhe për pozicione të tjera shtetërore dhe qeverisëse. Edhe dy kandidatët e tjerë të kualifikuar ishin mjaft të mirë, por ne duhet të zgjidhnim vetëm njërin”, u shpreh Dokle gjatë prezantimit të Avokatit të ri të Popullit, duke i uruar atij realizim të atij vizioni që ai prezantoi dhe gjatë seancës dëgjimore para komisionit përzgjedhës të kandidaturave në PS. Gjatë fjalës së tij, Totozani prezantoi filozofinë e drejtimit të tij në krye të detyrës së sapomarrë si Avokat i Popullit. Gjatë prezantimit me stafin, Totozani tha se sfida e tij për drejtimin e Avokatit të Popullit është se ai kërkon një institucion aktiv që të mos presë ankesat e qytetarëve, por të shkojë dhe të gjejë problemet e qytetarëve në rastet kur atyre u janë shkelur të drejtat e tyre. “Do mundohemi ta nderojmë këtë institucion, ta shndërrojmë atë në një institucion të vërtetë kushtetues, një institucion larg dhe jashtë lojërave politike që ndodhin në Shqipëri”, u shpreh Totozani gjatë fjalës së tij. Sipas Avokatit të ri të Popullit, qëllimi kryesor i institucionit është një qytetar me të drejta të mbrojtura, një avokat populli që është jashtë lojërave politike dhe i pavarur nga ndikimet e ndryshme, me vetëm një objektiv: mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Kandidatura e Igli Totozanit u përzgjodh nga dëgjesa publike që organizoi Partia Socialiste, ku në garë ishin 33 kandidatë, ish-politikanë, por dhe pjesëtarë nga shoqëria civile. Një komision i posaçëm përzgjedhës, i përbërë nga deputetë dhe dy juristë të njohur, bënë seleksionimin e vazhdueshëm të kandidatëve deri sa në fund të këtij procesi tre kandidatë iu dërguan Kryesisë dhe Grupit Parlamentar. Në seancën e 22 dhjetorit, Totozani u votua me konsensus në Parlament nga pozita dhe opozita, me vota të plota të deputetëve që ndodheshin në sallë.

Koktej në institucion
Florina Nuni, Avokati i Popullit në detyrë deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri, si komisionerja më e vjetër në këtë institucion, i ka dorëzuar detyrën Totozanit. Ndërkohë institucioni kishte organizuar një koktej pritjeje të Avokatit të ri të Popullit, ndërsa vetë Totozani ka bërë prezantimin edhe me stafin e këtij institucioni.

Akuzat për përzgjedhjen
Disa nga 12 kandidatët që u kualifikuan për në fazën finale për Avokat të Popullit nga komisioni përzgjedhës i PS akuzuan organizatorët për subjektivizëm dhe paravendosje të kandidatit. Nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi, e cila ishte në garë, u shpreh e befasuar dhe e zhgënjyer nga vendimi i komisionit, ndërsa Përparim Kabo e cilësoi nonsens faktin që po zgjidhej një kandidat nga shoqëria civile, ndërsa përzgjedhjen e bënte Partia Socialiste. Ndërsa avokatja Blerta Kraja vlerësoi si përparësi të kandidatit fitues daljet publike në TV.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura