Miratimi i buxhetit më të madh në historinë e Bashkisë së Durrësit, nuk i jep zgjidhje problemit më të mprehtë me të cilin përballen qytetarët. Bashkia nuk ka parashikuar në buxhetin e 2017-s asnjë projekt për rehabilitimin e vendgrumbullimit të plehrave, duke bërë që qytetarët durrsakë dhe ata që jetojnë në periferi të vijojnë të thithin helme toksike, që lëshohen nga asgjësimi me anë të djegies së plehrave në vendgrumbullimin e Porto Romanos.
Kryebashkiaku Vangjush Dako shprehet se institucioni që ai drejton, nuk ka kapacitetet e nevojshme financiare për ngritjen e një landfilli, çka do të thotë zgjidhje e një ndër problemeve kryesore që po hasin qytetarët. I pyetur nga shoqëria civile (që kur u prezantua projektbuxheti) për zgjidhjen e këtij problemi, Dako ka ngritur duart lart.
“Nuk kemi parashikuar asnjë investim sa i përket problemit të vendgrumbullimit të plehrave. Nuk mundemi ta zgjidhim këtë problem momentalisht, pasi nuk kemi kapacitete financiare për rehabilitimin e mbetjeve urbane. Ngritja e një landfilli kushton shumë për Bashkinë e Durrësit, ndaj duhet të presim në vitet pasardhëse, ndoshta mund të gjejmë një zgjidhje. Për rehabilitimin e mbetjeve në Porto Romano nevojiten rreth 3 milionë euro, të cilat ne si Bashki nuk i disponojmë”, u shpreh Dako.
Pirgu i masivit të plehrave vazhdon të rritet çdo ditë e më shumë, duke u kthyer në një “bombë” ekologjike për banorët e qytetit bregdetar, të cilët thithin çdo ditë helmet toksike që lëshohen nga asgjësimi me anë të djegies i tyre. Drejtoria e Shëndetit Publik u ka rënë disa herë kambanave për rrezikuan që u kanoset qytetarëve durrsakë, duke e konsideruar shkakun kryesor për sëmundje të ndryshme kancerogjene, problemet me frymëmarrjen dhe përhapjen e epidemive të ndryshme.
Sipas tyre, helmet toksike që lëshojnë mbetjet gjatë asgjësimit me anë të djegies ndikojnë drejtpërsëdrejti në shëndetin e qytetarëve. “Helmet toksike që lëshohen gjatë asgjësimit të tyre me anë të djegies po përhapin sëmundje infektive pa e kuptuar te dhjetëra e qindra banorë të qytetit bregdetar”, shprehen specialistët e Shëndetit Publik. Situata bëhet edhe më alarmante kur në vendgrumbullimin e plehrave hidhen edhe mbetjet spitalore, të cilat digjen së bashku dhe lëshojnë helme të rrezikshme.
LEONIDHA MUSAJ/ PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al