Dhuna në familje, për 11 muaj denoncojnë mbi dy mijë gra

Dec 10, 2011 | 14:02
Dje, gjatë konferencës kundër dhunës në familje

Dhuna në familje do të konsiderohet si vepër penale, dhe për  dhunuesit ndëshkimet do të jenë të ashpra. Kodi Penal do të pësojë ndryshme të cilat pritet të miratohen shumë shpejt nga Parlamenti. Kjo është nisma më e fundit e Ministrisë së Punës për të parandaluar aktet e dhunës. Statistikat flasin për rritje të sensibilizimit për t’i denoncuar. Viti 2011 shënon 2029 denoncime, ku nga këto, 1248 kanë marrë nga Gjykata urdhër mbrojtjeje. Kjo shifër e krahasuar me një vit më parë shënon një rritje me 31 denoncime më shumë, ku vetëm kryeqyteti numëron 643 raste dhune. Qyteti që për këtë vit ka numrin më të vogël të rasteve të dhunës është Elbasani, me vetëm 13 denoncime. Fluksi i denoncimeve nuk tregon domosdoshmërisht zonën ku ushtrohet më shumë dhunë. Në fakt, denoncimet vijnë vetëm nga zonat më të emancipuara, pasi ku ka më pak zhvillim gratë e pranojnë dhunën si fenomen normal. Shifrat u bënë me dije dje gjatë konferencës kombëtare “Dhuna në familje është krim. Familje pa dhunë, shoqëri në paqe!”. Këtë vit konferenca u fokusua në prezantimin e Konventës së Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën  kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, e cila pas miratimit një muaj më parë nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, pritet të firmoset më 19 dhjetor nga ministri i Punës, Spiro Ksera, në emër të qeverisë. “Të dhënat më të fundit statistikore nga drejtoritë e policive konfirmojnë se fushatat sensibilizuese kanë pasur efekt pozitiv, pasi vërejmë se edhe në 11-mujorin e viti 2011 numri i denoncimeve është rritur, duke arritur në 2029 denoncime, nga 1998 denoncime të regjistruara një vit më parë. Po ashtu, gjeografia e denoncimeve ka përfshirë të 12 qarqet, madje nuk mungojnë edhe denoncimet nga zonat rurale, tregues ky i ndërgjegjësimit se dhuna nuk duhet toleruar, por denoncuar”, deklaroi ministri i Punës. U prezantua gjithashtu nisma për përfshirjen e dhunës në familje në Kodin Penal, duke e parashikuar atë si vepër penale dhe duke forcuar sanksionet për dhunuesit. “Propozimet, Ministria e Punës tashmë ia ka kaluar komisioneve përkatëse në Kuvend, të cilat aktualisht ndodhen në procesin e diskutimit të ndryshimeve në Kodin Penal”, deklaroi Ksera, i cili u bëri thirrje deputetëve të të gjitha krahëve të politikës t’i mbështesin këto ndryshime që synojnë ashpërsinë e ligjit ndaj dhunuesit, pasi ndryshimet në Kodin Penal kërkojnë votën e 3/5 të deputetëve të Kuvendi për t’u miratuar.

Referimi i rasteve
Në shkurt të këtij viti, me vendim të Këshillit të Ministrave u miratua mekanizmi i bashkërendimit të punës për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, që garanton mbrojtjen me masa ligjore të viktimave të dhunës në të gjithë vendin. Deri tani, mekanizmi është ngritur në 17 Bashki dhe po punohet për shtrirjen e tij sa më shpejtë në të gjitha njësitë vendore.

Viti 2011
2029 denoncime për dhunën

1248 urdhër mbrojtjeje nga gjykata

31 denoncime më shumë

Tirana, 643 raste dhune

10 gra në ditë paraqiten në Komisariat

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura