Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë të pandehur ish-kryetarin socialist të Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi.
Kokoneshi akuzohet nga Prokuroria për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Për të njëjtën vepër penale janë marrë të pandehur edhe Dorjan Spaho, Andi Bullari dhe Ledio Xharo.
Sipas hetimeve, zyrtarët e bashkisë kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurës së dhënies me qira të disa pasurive që janë përdorur për impiante diellore me afat shfrytëzimi 10-vjeçar, ndërkohë që në ASHK ishin të regjistruara si tokë bujqësore.
Ishte fillimisht ish prokuroria e rrethit gjyqësor Lushnje ajo e cila regjistroi procedim penal për veprën penale “shpërdorim detyre”, ku rezultoi se Bashkia Divjakë kishte lidhur dy kontrata për dhënien me qira të një sipërfaqe toke prej 67 Ha, me objekt të investimit “ndërtim i impianteve diellore”.
Çështja më vonë kaloi pranë Prokurorisë së Posaccme si organ kompetent për të hetuar zyrtarët.
© Panorama.al












