Çfarë ndodhi realisht më 16 nëntor 1982 në burgun e Ferrit në Spaç! Rreth viteve ’70-të, në kupolën e krimit në Tiranë, diktatori po vazhdonte krimet e radhës. Në burgun e Spaçit vinin lloj-lloj informacionesh, ndoshta për t’i pasur ne si ushqim të shpresës. Kurse në vitin 1981, natën e 17 duke u gdhirë 18 dhjetori, në televizion u dha një lajm i gëzueshëm për ne, por edhe i vërtetë: “Nga një krizë nervore, kryeministri i Shqipërisë, shoku Mehmet Shehu, vrau veten”.
Të gjithë të burgosurit, përfshi edhe mua, u gëzuam shumë. Bisedonim nga dy e nga tre dhe thoshim se komunizmi po ha pjellën e vet. I përmenda rrethanat e mësipërme në të cilat kalonte vendi, për ta lidhur me fatin e keq të shokut tonë të vuajtjes, Rexhep Goçi. Gati një vit më vonë qeveria shpalli me rastin e gjoja të zgjedhjeve, një amnisti për të burgosurit politikë dhe më 15 dhjetor 1982, në burgun e Spaçit u liruan mbi 370 të dënuar.
Në bazë të përllogaritjeve një i dënuar nga rrethi i Tropojës, Rexhep Uk Goçi, nuk përfitonte nga kjo amnisti sepse kishte 11 ditë dënim më shumë, sipas kartelistit të komandës. Këta që u liruan ishin në brigada të ndryshme nga të pesë zonat e minierës dhe ishin nga ata më të sfiliturit, pra për ta ishte një mrekulli! Ishin nga ata që e kishin ndierë fort peshën e kamzhikut dhe torturave të tjera, (siç janë lidhja me hekura tek shtylla e betonit dhe shumë herë me duar të lidhura mbrapa, ose tek një rrotë vagoni që peshonte vetëm në duart e lidhura, e vendosur ashtu që të mos takonte në tokë). Pra, të gjithë ata që u liruan u shpëtuan këtyre torturave. Problem urgjent tani ishte zona e dytë, ku nxirrej minerali i piritit në temperaturën 40 – 45 gradë. Ishte një zonë me nxehtësi dhe kërkonte krahë pune.
Zyra teknike bëri një organizim të ri për të zëvendësuar në çdo brigadë punëtorët që u liruan. Dhe e plotësuan brigadën aq sa duhej për planin e piritit. Nuk diskutohej asnjëherë që zona e dytë të mos realizonte planin. Unë në atë kohë punoja në zonën e pestë, por më kaluan në zonën e dytë, po minator, bashkë me disa të tjerë. Sollën gjithashtu armatorë nga zonat e tjera. (punëtorët e mirëmbajtjes së galerisë quheshin armatorë). Midis të ardhurve si armatorë në zonën e dytë ishte dhe Rexhep Goçi. Në kohën që do futeshim brenda në galeri dhe saktësisht në galerinë 15/1, Rexhepi merr një mjet që quhej “karrotrupe” për të ngarkuar disa trupa betoni jo shumë larg grykës së galerisë.
Në të djathtë të kësaj galerie, gati 50-100 metra larg, ishte rrethimi dhe një karakoll jashtë tre rrethimeve telash me gjemba. Këtu vigjelonte natë-ditë ushtari me mitraloz në dorë. Duhet të sqaroj për këdo që s`ka dëgjuar për këto gjëra që po rrëfej. Në qoftë se ushtari vriste një “armik” (të burgosur politik), shpërblimi i parë ishte pesëmbëdhjetë ditë leje dhe patjetër, një dekoratë, kur do mbaronte ushtrinë, plus komanda e vishte polic po në kamp. Në brendësi të hapësirës nga rrethimet e 20-25 metra larg galerisë, ishin vendosur disa tabela paralajmëruese në formë trekëndëshi lyer me ngjyrë të kuqe (prej hekuri), që i dënuari nuk duhet t’u afrohej dhe as që bëhej fjalë të kalonte mbrapa tyre. Disa metra larg këtyre tabelave, Rexhepi po ngarkonte trupat e betonit për t’i futur në galeri. Pa pritur u dëgjua oshtima e mitralozit. Ne, të gjithë sa ishim aty, shtangëm nga frika. Sapo u dëgjua zhurma e vdekjes, polici i drejtohet duke i thirrur ushtarit: “Ç’bëre more, ndalo zjarrin, mos qëllo”. Rexhepi kishte rënë brinjazi me trupin e betonit 70-80 kilogramësh në prehër dhe me një zë gati në fikje foli: “Ç’më bëre more ushtar, më vrave, m’i le fëmijët rrugëve, kam një qerre me fëmijë. Oh Zot, pse, pse kështu me mua?! Mirë që s’më liruat, po pse më vratë? Ti e shef sa larg tabelës jam. Ah, fëmijët e mi mbetën jetimë”.
Gjaku dalëngadalë po skuqte rrobat e pista nga piriti, ai vari kokën mënjanë dhe nuk u ndie më. Polici qëndronte në këmbë pranë kufomës duke na ulëritur neve: “Futuni brenda, futuni brenda! Asnjë jashtë!”. Për tetë orë rresht, ulur në cepin e galerisë e pa folur asnjë fjalë me njëri–tjetrin mendonim për atë që i ndodhi Rexhepit. Rrinim si të mpirë të ndriçuar nga flaka e verdhë e llambës së karbitit. Mbas disa orësh mbërriti prokuroria e Rrëshenit për të bërë formalitetet e për ta lejuar komandën të bënte groposjen e radhës në një kodër që e ka emrin Shpal, gjithmonë aty ku e prisnin shokët, të vrarë e groposur më parë. Ndërsa Komanda e Repartit shkruante në informacionin e saj se, “i dënuari për krime kundër shtetit Rexhep Ukë Goçi nga Tropoja, i datëlindjes 1937, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë, futet në zonën e ndaluar në sektorin e vendrojës nr. 14 e 15, duke e kaluar tabelën “ndalim kalimi” dhe ushtari e qëlloi me breshëri kallashnikovi me dy plumba”. Lexuesi do ta kuptojë se çfarë ndodhte me ne të dënuarit politikë në burgjet e Ferrit! Ne të dënuarit ishim të destinuar të vuanim burgun nën atë regjim zemërkatran ku përveç lodhjes rraskapitëse, ne duhej të merrnim shpesh edhe të tilla goditje: të asistonim në vrasjen e një shoku, baba i 7 fëmijëve pa mundur të bënim asgjë… Ishte “rregull” i komandës që mbasi të vrisnin, vendgroposja të ishte në Shpal të Mirditës. Pas vitit 1990 familjarët e Rexhepit u interesuan dhe, rast i rrallë, e zbuluan vendin ku dergjej; e morën dhe e varrosën në vendin e lindjes ku pushon përjetësisht pranë të parëve të tij.
TELEGRAMI I KOBSHËM
Tri ditë më vonë, dy miqtë e burgut, Sandër Sokoli dhe Jetulla Gashi i bëjnë telegramin e kobshëm familjes së Rexhep Goçit. Dy vjet më vonë, njëri nga këta dy miq të burgut, Sandër Sokoli, do pësonte të njëjtin fat në revoltën e Qafë-Barit, më 22 maj 1984, por me një ndryshim, ai do jepte shpirt nën tortura në oborrin përpara mensës. Në këtë dhomë na fusnin grupegrupe për të na torturuar e rrahë me dru prej ahu. Kur u futa unë me disa shokë të tjerë, pashë llahtar me sy. Dyshemeja e dhomës ishte mbuluar me gjak, po ashtu dhe muret skuqnin nga gjaku. Në tokë kishte copa druri të llangosura me gjakun e atyre të burgosurve që ishin torturuar para nesh. Mbas arrestimit të 20 të dënuarve, të cilët i bënë përshesh në dhomën e “takimeve”, i hodhën mbi një makinë të zbuluar e nën rënkimin e dhimbjeve, makina u zhduk në kthesën për në degën e punëve të brendshme të Pukës. Ndërsa miku tjetër i Rexhep Goçit, Jetulla Gashi në 1990 arriti të dalë i gjallë nga burgu i Burrelit. Ai jeton në Prishtinë. I plakur, i lodhur e i thinjur tërësisht nga burgu, ai nuk mungon të vijë në fshatin Çerem të Tropojës për të vizituar varrin e mikut të tij që e donte aq shumë kur ishte gjallë e nuk do ta harrojë kurrë e do ta vizitojë sa ta ketë frymën. Mbi varrin e ndritshëm, pllaka e mermertë është mbuluar me lule të ardhura nga Kosova të cilën Rexhepi nuk e hiqte asnjëherë nga goja në bisedat që bënte me miqtë e shokët e tij. Shpesh thoshte: “Zoti i madh mos ma merr shpirtin pa i shkelur ato vise të truallit tonë të grabitura padrejtësisht në vitin e mbrapshtë 1913. Shqiptari ka derdhur shumë gjak për trojet e veta po nuk dihet sa gjak do të derdhet për të lëvizur gurët e “1913” e t’i çojë atje ku duhet”.
TERROR I VAZHDUESHËM NDAJ FAMILJES GOÇI
Rexhep Goçi rridhte nga një familje e persekutuar politikisht nga regjimi në rrethin e Tropojës. Babai i Rexhepit, Uk Beqir Goçi (Goçaj) i akuzuar për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit” dhe me lloj-lloj akuzash, ishte dënuar në vitin 1952 me 10 vjet burg nga Gjykata Speciale e Sigurimit në Tiranë me kryetar mizorin Nevzat Haznedari. Të njëjtin fat do të pësonte edhe djali i tij, Rexhepi. Rexhep Goçi lindur në vitin 1937 në fshatin Çerem të rrethit Tropojë, ka qenë i martuar me Bora Goçaj dhe kishte 7 fëmijë: tre djem, Perlatin (më i madhi), Esatin, Luanin dhe vajzat Sadete, Valdete, Valbona dhe Servete. Rexhepi kishte arsim fillor dhe ka punuar në ndërmarrjen e gjeologjisë të Tropojës. Në vazhdim të luftës që u bënin si familje, më 14.2.1975 arrestohet edhe Rexhepi, ashtu si i ati para 20 vjetëve. Por nëse Uka kishte mbajtur “diversantë” në shtëpi, (dhe kjo tregon se sa fort e urrente populli regjimin), arrestimi i të birit, Rexhepit me shtatë fëmijë për akuzën e përgjithshme “agjitacion e propagandë kundër pushtetit”, dëshmon shumë gjëra, kryesisht terrorin e vazhdueshëm nga regjimi gjakpirës edhe mbas 30 vjet pushtet. Më 30 maj 1975 Gjykata e Tropojës e dënon me 10 vjet heqje lirie Rexhep Goçin. Më pas e dërgojnë për të vuajtur dënimin në kampin e Spaçit të Mirditës. Në vendimin e Gjykatës së Rrethit Tropojë shkruhet: “I pandehuri Rexhep Goçi që në rini të tij ka ushqyer urrejtje për pushtetin popullor, pasi rrjedh nga një familje me qëndrim të keq politik. I ati është dënuar për krim kundër shtetit tonë të demokracisë popullore. Këtë urrejtje i pandehuri Rexhep ja ka ushqyer e mbajtur të gjallë edhe të kushëririt, të pandehurit Çelë Goçi. Të predispozuar për t’iu kundërvënë fitoreve madhështore të revolucionit socialist në RPSH, vijës marksiste-leniniste të Partisë sonë”. Dihet disa vdesin e disa lindin në mjerim e vuajtje megjithatë jeta vazhdon. Fëmijët e Rexhepit u rritën jetimë në praninë e dhimbjes e të urisë. Patën shtetin kundra dhe drejtësinë po ashtu. Të dy palët duhet të jenë marrë vesh që mbas gëzimit që patëm ne dhe populli me faljen e qindra “armiqve”, ne duhej të provonim edhe peshën e plumbit që të vret edhe kot, për të marrë pozicionin e tkurrur si më parë, dhe kështu në sfidën me popullin, klika e Tiranës ta mbante thikën nga doreza, kurse ne të kishim tehun në lëkurë. Fëmijët e Rexhepit u rritën dhe mbas vitit 1990 ata u martuan. Perlati dhe gjashtë vëllezër e motra, me fëmijët e tyre (nipërit e mbesat shokë e miq të ndjerit Rexhep), u vunë në kërkim të trupit të njeriut të tyre të dashur. Ashtu me kokën mënjanë, të heshtur, të pushtuar nga dhimbja morën rrugën drejt luginës së shkretë e majave të rrjepura nga erozioni të Spaçit. Drejt kësaj skëterre që mbante të fshehur në barkun e tokës së djegur babanë e tyre. Ata, si të rinj e të pavrarë nga përvoja e hidhur e ne të rriturve, prisnin që babai i tyre të kthehej një ditë, më i plakur e i thinjur, i lodhur nga jeta, por i gjallë; për mendjen e tyre të pastër, vitet e burgut duhet të mbaronin dhe një 50-vjeçar mund të durojë vuajtjet dhe torturat, por një ditë do të kthehej pranë familjes së tij. Ata nuk dinin se babai i tyre ishte i dënuar të mos dilte andej, i dënuar ashtu si dhe gjyshi i tyre dhe kështu kundër tij, kundër një njeriu të vetëm e të paarmatosur, mund të përdorej edhe përmbysja e ligjit që kishte nxjerrë vetë shteti i pajisur me të gjitha armët e nenet. Megjithatë, ata nuk e harruan; ata vendosën ta kërkonin dhe arritën ta gjenin nën dhe, duke kërkuar e pyetur gjithandej. Këmbëngulja e tyre bëri që ta gjejnë dhe ta zhgroposin nga ai vend i mallkuar për ta çuar tek varret e të parëve të tyre. Kësisoj eshtrat e tij prehen në vendlindje. Pra populli e provoi se është i pavdekshëm. Edhe pse po të vështrosh mbrapa, sheh vetëm trishtim, dhimbje, lot e rënkime, jeta e njerëzve vazhdon, populli rron… Fati im ishte ndryshe, unë u ktheva i gjallë pas 15 vjetëve, i thinjur, por edhe i dëshpëruar kur shkova pranë familjes. Qetësi, heshtje, errësirë… Rënkimet, pëshpëritjet, gjurmët e krimeve dhe hijet pambarim i lashë atyre përrenjve në Spaç. Janë me dhjetëra e dhjetëra aty, në gjirin e tokës dhe që të mos kenë ftohtë toka i mban mbuluar e të sigurt. Por nuk duhet të harrojmë. Duhet t’i kërkojmë e t’i gjejmë për t’i vendosur atje ku e meritojnë, e mos t‘i lëmë pa varr…
DOKUMENTI/ MASHTRIMI I KOMANDËS SË BURGUT
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE
E SHQIPËRISE SEKRET
MINISTRIA E PUNVE TË BRENDSHM EKZEMPLAR NR.1
KOMANDA E REPARTIT 303 E PERKOHSHME 5 VJET
NR. 436 PROT. Dhe gr.III
Spaç më 16.11.1982
INFORMACION
Mbi asgjësimin e të dënuarit Rexhep Ukë Goçi që tentoi të
arratisej. Ministrisë së Punëve Brendshme
Drejtorisë zbatim vendimeve penale
Tiranë
Degës Punëve të Brendshme
Mirditë
Më datën 16.11.1982 rreth orës 8 e 50 në zonën e dytë të minierës se bakrit Spaç i dënuari për krime kundër shtetit Rexhep Ukë Goçi nga Tropoja, i datëlindjes 1937, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë, futet në zonën e ndaluar në sektorin e vendrojës nr14 e 15, duke e kaluar tabelën “ndalim kalimi,, 16.5 metër në thellësi të zonës së ndaluar. Në kohën kur i dënuari Rexhep Ukë Goçi i afrohet tabelës “ndalim kalimi” kthehet mbrapa nga erdhi. Por në të njëjtën kohë kthehet përsëri e i afrohet tabelës “ndalim kalimi” dhe ushtari i vendrojes nr. 14, Bari Koçi, viti i dytë i shërbimit i bën ndaljen, por i dënuari nuk bindet. Për së dyti ushtari i bën ndaljen dhe e paralajmëron se do ta qëllonte, por i dënuari vazhdon rrugën në thellësi të zonës të ndaluar. Në këtë kohe ushtari Bari Koçi i vendrojes nr.14 e qëllon me dy breshëri me 4 fishek. I dënuari Rexhep nuk ndalon. Atëherë ushtari Sami Dyrmishi i V.R. Nr.15 e qëllon me një breshëri tjetër me dy predha. Po në këtë kohë e ka qëlluar nga V.R 14 dhe ushtar Hysen Uka (përgjegjësi i rojes) me një breshëri. Në këtë mënyrë bëhet neutralizimi fizik i veprimtarisë së të dënuarit, duke e plagosur atë në pjesën e poshtme të trupit me dy predha. Të dënuarit iu dha ndihma e parë mjekësore nga mjeku i repartit 303 dhe u transportua për në spitalin e Rrëshenit, ku vdiq. Nga verifikimi dhe analiza që i bënë kësaj ngjarje dalim në këto konkluzione:
1) Efektivi i repartit po paraqitet i mobilizuar e i tendosur në shërbim duke luftuar për rritjen e vigjilencës dhe forcimin e gatishmërisë për sigurimin e elementit armik në ruajtje, mbasi mbajmë parasysh faktin që nga të dënuarit presim që të intensifikohet veprimtaria armiqësore e tyre. Prandaj po forcojmë masat për rritjen e vigjilencës e të gatishmërisë që të sigurohen të dënuarit, që vuajnë dënimin në repartin tonë.
2) Shkëputja e të dënuarit nga kontrolli i rojës së punës evidencon faktin që policët roje kërkohet të forcojnë kontrollin për t’i mbajtur të dënuarit gjithnjë parasysh, duke mos lejuar që të shkëputet nga brigada qenë i shoqëruar nga roja, qoftë dhe për detyrat e prodhimit. Roja e punës që ishte caktuar në shërbim në këtë brigadë u analizua e u kritikua për faktin se i dënuari i është shkëputur kontrolli i tij.
3) Pretendimi që ngriti i dënuari se gjoja ai shkeli zonën e ndaluar për të marrë trupa betoni për galerinë, nuk qëndron, mbasi frontet e prodhimit në galeritë që janë në shfrytëzim furnizohen me trupa druri nga poshtë (ofiçina) me plan të pjerrët. Këta trupa betoni janë nxjerrë nga zhveshja e galerisë 16 që ka mbaruar shfrytëzimi dhe nuk përdoren nga miniera në zonën e piritit, por janë vënë stivë për t’i ulur e përdorur në një zonë tjetër të minierës. Pra, del qartë qëllimi i tij, që ky i dënuar shkoi drejt rrethimit të jashtëm në zonë të ndaluar për tu arratisur.
4) Ushtar Bari Koçi e Hysen Uka (përgjegjësi rojes) që ishin në vendrojen nr.14 dhe ushtar Sami Dyrmishi që ishte në vendrojen nr.15 kanë vepruar mirë konform rregullores së reparteve të riedukimit paragrafi 152, pika 6 faqe 54 për preventimin e kësaj tentative arratisjeje.
Grupi operativ i përbërë nga prokurori i rrethit, hetuesi dhe eksperti kriminalist, nga veprimet e para që bëri konkluzoi se ushtarët kanë vepruar konform rregullores së reparteve të riedukimit dhe normave të ligjshmërisë socialiste. Me t’u dhënë sinjali me armë, i gjithë efektivi me armë, anëtar policie e kuadrot e repartit me shpejtësi të madhe u ngritën në alarm dhe mbyllën menjëherë drejtimet e caktuara. Komanda mendon që për vigjilencën revolucionare dhe gatishmërinë e lartë, që tregua ushtarët Bari Koçi (roje), Sami Dyrmishi (roje) dhe Hysen Uka (përgjegjsi roje) t’iu jepet fletë lavdërimi nga zëvendës ministri që ka në linjë repartet e riedukimit. Kjo ngjarje na shtron detyra akoma më të mëdha për të ngritur në një shkallë më të lartë vigjilencën e gatishmërinë e efektivit që të mos kemi asnjë arratisje apo veprimtari tjetër armiqësore në radhët e të dënuarve.
Kryetari i repartit
/Pjetër Cara/
(firma)
Komandanti repartit
/Myftar Myftari/
(firma)
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












