“Çështja Balluku nuk është standard shqiptar” – Berisha: Në qeverinë e mëparshme, hiqej imuniteti pa kërkuar Prokuroria! Raporti IBAR ngeli në klasë, BE e ka kuptuar se regjimi i Ramës nuk plotëson kushtet për integrimin

Mar 17, 2026 | 13:00

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi kryeministrin Edi Rama si “pengmarrësin” e Shqipërië, duke shtuar se po pengon integrimin në BE.

Në konferencën e sotme, Berisha theksoi se raporti IBAR, i cili mundëson nisjen e mbylljes së kapitujve të anëtarësimit të Shqipërisë, mbeti në “klasë” pasi disa vende të Unionit evropian nuk e kanë votuar. Sipas tij, këto vende po e kuptojnë që qeveria e Edi Ramës nuk plotëson asnjë kusht për integrimin e vendit në Unionin evropian.

“Raporti IBAR mbeti në klasë pasi një seri vendesh anëtare të BE nuk e votuan, por shtruan një seri çështjesh themelore dhe unë jam këtu të falënderoj, të shpreh mirënjohje ndaj këtyre vendeve, të cilat insistojnë që procesi i integrimit të jetë një proces i bazuar në meritë.”, u shpreh Berisha.

Më pas, u ndal te çështja e Belinda Ballukut, imuniteti i së cilës nuk iu hoq nga socialistët. Sipas tij, imuniteti i Ballukut nuk është standard shqiptar, duke kujtuar se në qeverinë e mëparshme, imuniteti i një deputeti hiqej pa bërë një kërkesë Prokuroria.

“Çështja e imunitetit të Ballukut është sipas interpretimeve shqiptare, është një mashtrues i paguar ose i papaguar nga Edi Rama. Sepse standardet shqiptare të imunitetit kanë qenë në qeverinë paraardhëse, heqje e çdo imuniteti të kërkuar nga prokuroria e përgjithshme. Dorëzim edhe paraprak, pa u kërkuar nga prokuroria, për hetimin.”, u shpreh ai.

Interpretimin e socialistëve ai e cilësoi si interpretim të hajdutëve.

Nuk është standard shqiptar ky. Nuk është interpretim shqiptar ky. Por i hajdutëve armiq të kombit shqiptar si Edi Rama me ministrat e tij.”, shtoi ai.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Sot, Edi Rama është pengmarrësi më i madh pas Enver Hoxhës në histori, pengmarrësi më i madh i Shqipërisë. Zhvillime dramatike vijnë për procesin e integrimit të Shqipërisë. Raporti IBAR mbeti në klasë pasi një seri vendesh anëtare të BE nuk e votuan, por shtruan një seri çështjesh themelore dhe unë jam këtu të falënderoj, të shpreh mirënjohje ndaj këtyre vendeve, të cilat insistojnë që procesi i integrimit të jetë një proces i bazuar në meritë.

Sepse ky proces i bazuar në meritë është interesi absolut më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Procesi jashtë meritës është ndëshkim për qytetarët shqiptarë dhe mbështetje për kusarët qeveritarë shqiptarë. Ndaj dhe dua të falënderoj një seri vendesh të BE, të cilat dora-dorës po e kuptojnë se Edi Rama dhe narkoregjimi i tij nuk plotësojnë asnjë kusht, asnjë kriter, asnjë standard për integrimin e Shqipërisë në BE. Sepse Shqipëria e Edi Ramës është një piramidë madhore mashtrimi. Sepse Edi Rama e ka shndërruar Shqipërinë në çifligun e vet për ta vjedhur dhe për t’u pasuruar në mënyrë të çmendur.

Ndaj dhe jam këtu për të deklaruar se për PD, objektivi më madhor i saj është integrimi i bazuar në meritë. Pra, edhe njëherë qytetarëve shqiptarë, njeriu që për muaj të tërë nxirrte nga xhepi një pasaportë false kallpe dhe u thoshte kjo është pasaporta evropiane që u garantoj unë, e ndërroi dhe nxjerr pasaportën e Beogradit, pasaportën e Vuçiçit. Ky është zhvillimi dramatik sepse ai mbron vjedhjet e tij.

Dhe një gjë njerëzisht duhet t’u them partnerëve tanë se cilido që u thotë ju të nderuar miq dhe të dashur se çështja e imunitetit të Ballukut është sipas interpretimeve shqiptare, është një mashtrues i paguar ose i papaguar nga Edi Rama. Sepse standardet shqiptare të imunitetit kanë qenë në qeverinë paraardhëse, heqje e çdo imuniteti të kërkuar nga prokuroria e përgjithshme. Dorëzim edhe paraprak, pa u kërkuar nga prokuroria, për hetimin.

Dhe interpretimi shqiptar i imunitetit, ua them atyre që pretendojnë me këtë deklaratë të turpshme, ka qenë interpretim kushtetues dhe ligjor. U hoq imuniteti i Ilir Metës dhe ka dhënë dorëheqjen. Është hequr imuniteti i Fatmir Mediut. Është hequr dy herë imuniteti i Lulzim Bashës. Të gjitha këto të kërkuara nga një prokurore e përgjithshme e verbër.

Por natyrisht kjo nuk mundej kurrë, në standardin shqiptar dhe interpretimin shqiptar, i them atij që paraqet këtë argument dhe i falënderoj ata që nuk ia besuan por e hodhën poshtë me përçmim, të vërtetat janë këto, ky është imuniteti i hajdutëve që paguajnë lobistët.

Ky është interpretimi i hajdutëve, mbrojtja me imunitet i vjedhjeve është interpretim i Edi Ramës, kreut të organizatës kriminale dhe ministrave të tij, deputetëve të tij. Nuk është standard shqiptar ky. Nuk është interpretim shqiptar ky. Por i hajdutëve armiq të kombit shqiptar si Edi Rama me ministrat e tij.

© Panorama.al

Te lidhura