Humbja e Juventusit ndaj Sitit jo vetëm që e uli skuadrën bardhezi në vendin e dytë të grupit të saj, por gjithashtu e pozicionoi në krahun më të vështirë të shortit për fazën me eliminim direkt.
Me këtë ndryshim, u shuan shpresat për një derbi italian kundër Interit në çerekfinale, një përballje e tillë tani mund të ndodhë vetëm në finalen e madhe. Megjithatë, mënyra se si u formësuan grupet E (i Interit), G (i Juventusit) dhe H (me Real Madridin dhe Al Hilal) krijoi një tjetër skenar intrigues. Nëse Interi arrin të mposhtë Fluminensen dhe Al-Hilal bën surprizën duke eliminuar Sitin, atëherë do të kemi menjëherë një përballje direkte mes Interit dhe trajnerit të Al Hilal, Simone Inzagi.
Të dyja skuadrat, natyrisht, nuk e kanë rrugën të shtruar me petale trëndafili. Interi i Kivusë do të përballet të hënën mbrëma në orën 21:00 me Fluminensen, një skuadër braziliane që ka treguar formë mbresëlënëse gjatë këtij turneu.
Sfida e Al-Hilal kundër Sitit, nga ana tjetër, duket edhe më e vështirë, sidomos duke parë formën e kampionëve anglezë në ndeshjen kundër Juventusit. Por për Inzagin, sfidat me Guardiolën kanë qenë gjithmonë të luftuara me nder, një humbje minimale në finalen e Ligës së Kampioneve më 2023 dhe një barazim 0-0 në fillim të këtij sezoni. Ai do të kërkojë një tjetër mrekulli, këtë herë në drejtimin e skuadrës arabe.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











