BULQIZE – Plagoset për kromin 35-vjeçari. Diamand Tançi, banor i qytetit të Bulqizës, u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e së hënës. Megjithëse Policia lokale nuk ka dalë me një deklaratë për mediat dhe as nuk ka publikuar rrethanat e ngjarjes së ndodhur dy net më parë në rrethin e Bulqizës, mësohet se Diamand Tançi u plagos me armë zjarri në vendin e quajtur “Tre çezmat”. Mësohet se Tançi po udhëtonte drejt Peshkopisë me makinën e tij, së bashku me dy bashkëmoshatarë, në momentin kur është qëlluar me breshëri automatiku. Shoferë të tjerë e kanë gjetur mbi timon, madje pa ndjenja, ndërkohë që dy “pasagjerët” janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes për t’u shpëtuar plumbave që mund të vinin nga agresorët. Është njoftuar salla operative e Policisë së Bulqizës dhe shumë shpejt në vendin e ngjarjes janë dërguar disa efektivë policie. Fillimisht i plagosuri është dërguar në spitalin më të afërt, atë të Bulqizës, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore është dërguar drejt Tiranës. Burime jozyrtare thanë se të afërm të Tançit merren me tregtinë e kromit dhe dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me konkurrencën. h.p











