Bie bora e parë pas një viti në Kukës. Ajo ka shënuar një lartësi prej rreth 10 centimetrash në pjesën mbi 300 metra mbi nivelin e detit, duke zënë një shtresë të konsiderueshme dhe në një pjesë të autostradës Durrës-Morinë. Pikërisht në pjesën nga dalja e tunelit deri në afërsi të fshatit Kolsh ka pasur probleme me qarkullimin rrugor, pasi nisja e reshjeve të dëborës i zuri në befasi drejtuesit e mjeteve. Bora zëvendësoi shirat e rënë dy ditët e fundit, të cilat shkaktuan probleme të shumta në Rrugën e Kombit. Për shkak të mjegullës dhe ngricës mbi asfalt, në këtë autostradë janë shënuar dy aksidente masive gjatë dy javëve të fundit (në rastin e dytë u përfshinë në aksident 40 automjete), çka e ka detyruar Ndërmarrjen e Rrugëve të marrë masa konkrete për shmangien e përplasjeve. Pikërisht në pjesën më të rrezikshme të saj, në atë që lidh tunelin me fshatin Kolsh (pjesa Kalimash-Kukës), mësohet se janë vendosur tabela paralajmëruese në rrugë, ku tregohet mjegulla dhe rrëshqitjet e mundshme. Gjithashtu, po ndërhyhet dhe te programimi elektronik në sallën e komandimit, ku në tunel, krahas tabelave paralajmëruese, të shkruhen dhe ato që tregojnë mjegullën, e cila i pret drejtuesit e automjeteve sapo dalin nga tuneli. Në këto tabela do të vendoset paralajmërimi që nuk lejohet udhëtimi me shpejtësi më shumë se 18 km në orë. Pavarësisht reshjeve të borës ditën e djeshme, nuk është raportuar ndonjë aksident apo përplasje mjetesh. Në autostradë kanë dalë mjete të Ndërmarrjes së Rrugëve për të shmangur krijimin e akullit në asfalt. Kjo ndërmarrje po vepron derisa të shpallet fituesi i tenderit për firmën që do të mirëmbajë aksin e autostradës nga Rrësheni deri në fshatin Kolsh. Firma koncesionare do të nënshkruajë një marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, ndërsa Ndërmarrja e Kukësit do të ketë segmentin nga fshati Kolsh deri në Morin. Për këtë, por dhe për të tjera rrugë nacionale, kryesisht rrugën e vjetër nga Qafa e Malit, janë në dispozicion 100 tonë kripë, 200 tonë skorie, një borëpastruese, një fadromë dhe një ekskavator. Tani në inventarin rrugor të kësaj drejtorie kanë mbetur 105 km rrugë nacionale.
KUKES/ JONUZ HALLAÇI











