E kishte paralajmëruar edhe më parë se angazhimi i tij në politikë do të vazhdonte, por me intervistën e fundit ish- kryeministri italian, Silvio Berluskoni, “i mbytur” me gjyqe, e vulosi: do ta bëjë Italinë liberale. Në një intervistë për revistën e përjavshme italiane, “Chi”, ish-kreu i ekzekutivit italian tha se: “Impenjimi im me politikën nuk ka përfunduar, por në zgjedhjet e ardhshme duhet një ndryshim i përgjithshëm. Do të heq dorë nga politika vetëm kur Italia të jetë një vend vërtet liberal”. Ai më tej ka folur edhe për vështirësitë ekonomike. “Unë e dhashë dorëheqjen, sepse Italia, në këtë moment të vështirë, kishte nevojë për unitetin dhe solidaritetin maksimal të forcave politike. Duhej një sakrificë dhe unë e bëra për të përballuar këtë fazë”, tha Berluskoni.











