
Qëndroi në punë për 4 orë, priti Topallin, Bashën dhe ministrat
Kryeministri Sali Berisha i është rikthyer dje normalitetit në punë, pas gjendjes së rënduar shëndetësore që shfaqi në ceremoninë e 21-vjetorit të themelimit të PD-së, ku u detyrua ta ndërpriste në mes fjalimin. Stafi i tij tregon për gazetën se nata ka qenë e qetë për kreun e qeverisë. Pas kthimit në shtëpi nga Pallati i Kongreseve ai është asistuar nga një trupë mjekësore që e ndjek Kryeministrin në punën e tij, si dhe nga miqtë e tij mjekë që ishin të pranishëm dy ditë më parë në festën e PD. Bluzat e bardha kanë qëndruar pak minuta në shtëpinë e kreut të qeverisë dhe më pas janë larguar duke e lënë Berishën të pushojë në prani të familjarëve. Mesditën e djeshme shefi i qeverisë ka dalë nga shtëpia, si rrallë ndonjëherë, në orën 11:45. Një ditë më parë ishte vendosur anulimi i vizitës zyrtare në Malin e Zi dhe dita e djeshme nuk kishte asnjë takim zyrtar të përcaktuar. Pak para se të shkonte ora 12:00, makina e tij tip “Benz” me targë TR 0007 Z është parë të lërë apartamentin në qendër të Tiranës dhe t’i drejtohet Kryeministrisë. Burime zyrtare bëjnë të ditur gjithashtu se pas pak minutash, kur Berisha ka hyrë në zyrën e tij, aty ka mbërritur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Nënkryetarja e Partisë Demokratike dha një ditë më parë lajmin për të ftuarit në festën e PD-së, se Berisha ishte shumë mirë dhe gjithçka kishte ardhur nga gjendja e tij virale. Pasi ka përcjellë kryeparlamentaren, Kryeministri ka pritur edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Mësohet gjithashtu se gjatë ditës së djeshme Kryeministri ka zhvilluar edhe takime pune me zv.kryeministrin, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Edmond Haxhinasto dhe ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani. Në të njëjtën kohë ka pasur kontakte të shpeshta me stafin e tij të ngushtë. Njëri prej anëtarëve të stafit të Kryeministrit tregon për gazetën se gjatë bisedës Berisha është shprehur se rëndimi i gjendjes së tij gjatë ceremonisë në Pallatin e Kongreseve ka ardhur për shkak të gripit dhe ajrit të ndotur në sallë. “Ka pasur ditë të tjera ku axhenda ka qenë shumë më e ngjeshur sesa dje (të hënën)”, mësohet t’u ketë thënë Kryeministri bashkëpunëtorëve të tij. Që prej 27 nëntorit Berisha ka kaluar një gjendje gripale dhe për dhjetë ditë resht është kuruar me antibiotikë. Një ditë më parë Kryeministria sqaroi se “pas një konsulte mjekësore u konstatua një gjendje lipotimie (debolese), e lidhur me një virozë për të cilën Kryeministri është mjekuar gjatë ditëve të fundit. Konsulta mjekësore tregoi parametra normalë dhe gjendje të stabilizuar. Kryeministri Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe para largimit nga Pallati i Kongreseve konsumoi një kafe me miq e të ftuar dhe më pas u kthye në apartamentin e tij”.
Flet ish-studenti i Dhjetorit
Gjana: Dobësinë e Berishës e kuptova në tri minutat e fundit
Një prej aktivistëve të PD-së në dhjetor të vitit 1990, Myftar Gjana, tregon për gazetën momentin kur Kryeministri Berisha ndërpreu në mes fjalimin dhe u dërgua pas ekraneve të Pallatit të Kongreseve. Gjana ishte fare pranë kreut të qeverisë në momentin kur truprojat e morën Berishën dhe e larguan nga podiumi.
Zoti Gjana, si u gjendët në podium gjatë festës së 21- vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike?
Ishte një panel i studentëve të Dhjetorit, themelues të Partisë Demokratike dhe shkuam në tribunë në krah të Kryeministrit Berisha. Aty ishim rreth tetë veta.
Ju ishit pranë Kryeministrit kur ai po mbante fjalën e rastit. Nga pozicioni ku ndodheshit ju, kuptohej fakti që shëndeti i tij po rëndohej?
Unë isha i pari pranë tij. Gjatë kohës kur ai po fliste nuk më bëri ndonjë gjë përshtypje, por tri minuta përpara se të dobësohej ai kishte djersë të ftohta dhe dukej që i ra ritmi i leximit. Për mendimin tim ajo ishte një ulje tensioni dhe asgjë më shumë. Më pas erdhën mjekët dhe gjendja u normalizua.
Duke qenë se ju ishit shumë afër Kryeministrit në ato momente, patët ndonjë komunikim?
Jo, nuk komunikuam. Ai po lexonte fjalimin e radhës që kishte për festën. Unë u takova me të në momentin që erdhi në sallë, sepse isha e pari aty, por vetëm kaq.
ADI SKEMBI
© Panorama.al











