Berisha, ministres turke: Investoni në bujqësi

Dec 1, 2011 | 13:04

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka pritur sot Ministren e Familjes dhe Politikave Sociale të Turqisë, Fatma Sahin. Duke e falënderuar për mbështetjen e qeverisë turke, Berisha ka theksuar se do të ishte me interes që investitorët turq  të shtrijnë aktivitetet e tyre në fushën e bujqësisë, por edhe të turizmit në Shqipëri, duke sjellë këtu eksperiencën e një vendi me tradita të shkëlqyera në këtë fushë.

Sahin i kushtoi një rëndësi të veçantë Protokollit të nënshkruar në kuadër të Komisionit Ekonomik Shqiptaro-Turk, midis ministrisë që ajo drejton dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, duke theksuar se ai do të kontribuojë në rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik, si dhe zgjerimin e fushave të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjatë takimit, Berisha shprehu kënaqësinë se gjatë viteve të fundit, me vullnetin e përbashkët, marrëdhëniet veçanërisht në fushën ekonomike kanë njohur zhvillime të mëdha. Në këtë kontekst, ai vlerësoi faktin se investimet turke në Shqipëri janë rritur disa herë dhe shtrihen në fusha të ndryshme si në telekomunikacion, në fushën arsimore, ushtarake etj.. Nga ana e saj, ministrja Sahin shprehu kënaqësinë që shumë biznesmenë turq kanë hedhur firmat e tyre në veprat e rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

© Panorama.al

Te lidhura