“Berisha ik të rrëzohet Rama” – Azgan Haklaj: Republika e korrupsionit duhet të shembet dhe të ndërtohet një e re! Kryeministri me dy mandate dhe presidenti i zgjedhur nga populli

Jun 22, 2026 | 14:47

Ish-deputeti demokrat, Azgan Haklaj ka kërkuar largimin e Sali Berishës nga drejtimi i Partisë Demokratike, duke argumentuar se kjo është rruga e vetme për bashkimin e frontit opozitar dhe rrëzimin e kryeministrit Edi Rama.

12222

Në një reagim të gjatë publik, Haklaj e cilëson regjimin aktual si një “regjim oligarkik” dhe akuzon Ramën dhe Berishën se kanë bashkëqeverisur politikisht vendin përmes një marrëveshjeje të heshtur që, sipas tij, ka prodhuar korrupsion, kapje të institucioneve dhe dobësim të demokracisë.

Sipas Haklajt, protestat e zhvilluara javët e fundit në Tiranë dhe pjesëmarrja e diasporës tregojnë se qytetarët janë kundër establishmentit politik 35-vjeçar dhe se shohin si përgjegjës si Ramën ashtu edhe Berishën.

Në këtë referendum qytetar po vertetohet se opozita e marrë peng nga Sali Berisha është bashkëfajtore me mazhorancën e drejtuar nga Edi Rama. Rama e Berisha janë bashkë! Në vitin 2008 ortakët e sundimit i bënë atentat kushtetutës, asgjësuan votën e lirë dhe konstruktuan republikën e korrupsionit kundër së cilës protestojnë shqiptarët sot në Shqipëri dhe anembanë botës.”, shkruan ai.

Ai thekson se mbajtja e Berishës në krye të opozitës i shërben politikisht kryeministrit Rama, ndërsa shton se dorëheqja e liderit historik të PD-së do të çlironte opozitën, do të afronte votuesit e pavendosur dhe do të krijonte mundësinë për një alternativë të re politike.

Haklaj propozon krijimin e një “Republike të Re”, të bazuar sipas tij në një reformë të thellë elektorale, rikthimin e votës së lirë, lista të hapura kombëtare, institucione më të forta kushtetuese dhe një shtet të së drejtës të konsoliduar.

“Ka ardhur koha që republika e korrupsionit të shembet e të rrënohet, të mbyllet epoka e stërgjatur e tranzicionit dhe të kostruktohet një Republikë e Re, pas një reforme të thellë elektorale duke kthyer institucionin e votës së lirë si gur themel të saj dhe çertifikuar shtetin e së drejtës, me një trupë’ politike  me pushtete të ndara, me një parlament të personaliteteve me integritet moral dhe profesional, i dalë nga kontrata sociale e sovranit me përfaqësuesit e tij, pas një vetingu të plotë dhe votimit me lista të hapura kombëtare. Republika e Re të ketë institucione të forta kushtetuese, kryeministër me dy mandate dhe president të zgjedhur nga populli!”, shprehet ai.

REAGIMI I PLOTE:

REGJIMI OLIGARKIK DHE  UDHËKRYQI I OPOZITËS SHQIPTARE:

MBAJTJA  PENG E OPOZITËS,  MISION  NDAJ REGJIMIT!

BERISHA IK TË RREZOHET RAMA!

Dilema rreth lidershipit të opozitës dhe ndikimit të tij në fatet e demokracisë shqiptare përbën një nga nyjat më komplekse të diskursit bashkëkohor politik dhe sociologjik në vend.

Prej më shumë se tre javësh në Sheshin Skenderbej, Bulevardin Deshmorët e Kombit, para kryeministrisë dhe nëpër rrugët e Tiranës ka  proteste masive popullore, ku pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve dhe e diasporës dëshmon për një revoltë organike kundër establishmentit 35- vjeçar dhe sundimit të diktaturës së korrupsionit të Trekëndëshit të Bermudës!

Në këtë referendum qytetar po vertetohet se opozita e marrë peng nga Sali Berisha është bashkëfajtore me mazhorancën e drejtuar nga Edi Rama!

Rama e Berisha janë bashkë!

Në vitin 2008 ortakët e sundimit i bënë atentat kushtetutës, asgjësuan votën e lirë dhe konstruktuan republikën e korrupsionit kundër së cilës protestojnë shqiptarët sot në Shqipëri dhe anembanë botës.

Për të vazhduar sundimin dy nastradinët bënë aleancën e kullave dhe vulave.

Ata blinduan trinomin e oligarkisë  politike të projektuar nga hipotekat e tyre të listave të mbyllura, oligarkisë financiare të prodhuar nga vetë ata dhe krimit të  organizuar të kontrolluar prej tyre.

Binomi Rama &  Berisha u besatuan kundër drejtësisë së re, konkretisht SPAK dhe GJKKO, duke keqpërdorur edhe segmente të tjera të drejtësisë kundër tyre.

Prej dy vitesh dosja e rekursit për ligjshmërinë e drejtimit të Partisë Demokratike ndodhet në Gjykatën e Lartë e cila në një vendim të mëparshëm të saj kërkonte gjykim në themel, por çuditërisht një trupë gjyqsore e gjykatës së apelit nuk e zbatoi vendimin e soj por doli me një vendim të njëanshëm,  i cili rrëzuai krejt hierarkinë gjyqsore elektorale të zgjedhjeve lokale të vitit 2023.

Për sherbimin ndaj Ramës Berisha mori dhuratë vulën duke marrë peng Partinë Demokratike dhe opozitarizmin shqiptar.

Këto janë arsyet që prej më shumë se tre javësh populli opozitar duke i marrë armën e fundit të mbijetesës politike Sali Berishës, sheshin, proteston dhe refreni i plebishitit popullor është:

Rama në burg & Berisha në burg!

Opozitë e shitur!

Pra populli sheh binomin Rama dhe Berisha  personofikim të establishmentit 35- vjeçar.

Ka ardhur koha që republika e korrupsionit të shembet e të rrënohet, të mbyllet epoka e stërgjatur e tranzicionit dhe të kostruktohet një Republikë e Re, pas një reforme të thellë elektorale duke kthyer institucionin e votës së lirë si gur themel të saj dhe çertifikuar shtetin e së drejtës, me një trupë’ politike  me pushtete të ndara, me një parlament të personaliteteve me integritet moral dhe profesional, i dalë nga kontrata sociale e sovranit me përfaqësuesit e tij, pas një vetingu të plotë dhe votimit me lista të hapura kombëtare.

Republika e Re të ketë institucione të forta kushtetuese, kryeministër me dy mandate dhe president të zgjedhur nga populli!

Ti japë mbështetje absolute  SPAK- ut dhe GJKKO- së për ti shkuar gjer në fund ndëshkimit të korrupsionit të Aleancës së Kullave dhe Vulave dhe konfiskimit të pasurisë së tyre.

Republikë e Re në aleancë me SHBA dhe BE!

Por që të ndodh kjo së pari duhet të çlirohet opozita nga pengu.

Sipas mendimit tim ka dy mënyra:

Vendimi i shpejtë për gjykimin në themel të Gjykatës së Lartë ose dorëheqja e Sali Berishës që po i sherben si patericë  Edi Ramës,  për ti hapur rrugë bashkimit të frontit opozitar për ta larguar Edi Ramën me votë të lirë.

Pyetja nëse largimi vullnetar i ish-kryeministrit Sali Berisha do të shërbente si katalizator për rrëzimin e pushtetit të Edi Ramës ndan analizën akademike në dy rryma  mendimi.

Nga njëra anë, rryma e vogël që mbështet qëndrimin e tij në krye të aksionit opozitar bazohet tek interest e tyre utilitare për një karrige, por fatkeqsisht mbështetjen e tyre e veshin me  pragmatizmin e stabilitetit të strukturave brendapartiake.

Sipas këtij këndvështrimi, në një terren politik të kapur nga mazhoranca, ku pushteti përdor mekanizma të skajshëm kontrolli, opozita ka nevojë për një lider me autoritet historik të padiskutueshëm që të mbajë të bashkuar bazën militante.

Mbështetësit e kësaj teze argumentojnë se një largim i papritur në kulmin e aksionit do të krijonte një vakum të rrëzikshëm pushteti dhe luftëra të brendshme fraksioniste, duke e lënë regjimin pa një kundërshtar të fortë e të sprovuar, por e verteta është se ky kundërshtari i fortë tani është një delfin në prehërin e ortak Ramës.

Mbështetësit e pakët të Berishës përpiqen të stërmunduar ta paraqesin një leje të posaçme të Berishës për udhëtim në SHBA si ndryshim  vendimi dhe se gjoja ai nuk mban më statusin non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky grupim e sheh figurën e tij si të rehabilituar përballë presionit të jashtëm dhe si simbol të një qëndrese legjitime, por e verteta është krejt ndryshe:

Ambasada e SHBA-së në Tiranë nuk kishte ftesë për z Berisha me rastin e përvjetorit të pavarësisë së SHBA- së, madje as për Edi Ramën, biles nuk pati asnjë urim  nga këta të dy për aleatin tonë strategjik.

Rryma e madhe alternative, e cila analizon proceset afatgjata të demokratizimit dhe qarkullimit të elitave, argumenton se dorëheqja e tij do të përbënte një akt të lartë civilizues dhe një kontribut madhor për të ardhmen e vendit.

Në moshën mbi 80-vjeçare, tërheqja e tij nga vija e parë e politikës aktive do të shihej  si shërbim ndaj demokracisë dhe parimeve që publikisht ai artikulon e mbron, madje edhe si një gjest i maturisë shtetformuese që institucionalizon opozitarizmin përtej kultit të individit, miteve dhe idhujve.

Për të bërë këtë duhet që Sali Berisha të çlirohet së pari nga  nga vetëvetja, nga narcizmi.

Akti i dorëheqjes së Sali Berishës do të zhbënte menjëherë shtyllën kryesore të propagandës së qeverisë, e cila legjitimon autokracinë e saj duke e ushqyer mediatikisht me frikën e riciklimit të figurave të tranzicionit të hershëm.

Duke u larguar, ai do të çlironte opozitën dhe  “votën gri”, të gjitha partitë politike opozitare, intelektualët dhe brezin e ri, të cilët ndonëse janë të revoltuar me sistemin aktual, stepen të bashkohen me një projekt që përceptohet si i orientuar drejt së shkuarës.

Ky pensionim politik do të ndryshonte rrënjësisht edhe ekuacionin gjeopolitik, duke bërë që  partnerët ndërkombëtarë të përballen me një alternativë të re dhe pa ngarkesa historike.

Ky qëndrim përputhet edhe me qasjen e faktorëve gjeopolitikë europianë dhe perëndimorë, të cilët në llogaritë e tyre rajonale shpesh kanë preferuar stabilitetin (stabilokracinë) e ofruar nga ekzekutivi aktual përpara pasigurisë sepse përceptonin një opozitë të lidhur me të shkuarën.

Për sa kohë që partnerët europianë tolerojnë autokracinë e brendshme në këmbim të një stabiliteti gjeopolitik në Ballkan, largimi i liderit historik do t’u hiqte atyre këtë alibi diplomatike, duke iu imponuar  të rishikojnë mbështetjen e tyre qorre ndaj status-quosë në Tiranë.

Për të shmangur rrezikun e pretenduar të zhbërjes apo përçarjes së opozitës nga ky largim, një zgjidhje konkrete institucionale pas vendimit të Gjykatës së Lartë për ligjshmërinë e lidershipit të PD-së do të ishte thirrja e një Kuvendi Kombëtar të Jashtëzakonshëm.

Lidershipi legjitim të krijoi  një format kolegjial per organizimin e një kuvendi që do të shërbej si platformë tranzicioni dhe si një manifest për një hapje të madhe e strukturore të Partisë Demokratike, duke sanksionuar një model të ri,  jo vetëm përfaqësimin e të gjitha rrymave dhe fraksioneve ekzistuese brenda forcës kryesore opozitare, por edhe integrimin e kontributeve të atyre faktorëve që janë larguar apo fragmentuar ndër vite, duke sjellë një riintegrim real të spektrit të djathtë dhe duke garantuar se asnjë grupim apo rrymë historike nuk do të ndihej e përjashtuar. Përmes kësaj formule, kalimi nga udhëheqja monokratike te ajo kolektive, gjithëpërfshirëse dhe federative do të shënonte një hapje të pakthyeshme ndaj mendimit ndryshe me institucionalizim të fraksionit duke e mbrojtur partinë nga lëkundjet e brendshme dhe duke e kthyer tranzicionin nga një krizë lidershipi në një garanci uniteti dhe bashkimi të plotë për përballjen elektorale.

Në bilancin e këtyre qëndrimeve, brenda shkencave politike dhe opinionit të gjërë qytetar, sot dominojnë qartë argumentet që anojnë pro dorëheqjes dhe reformimit të lidershipit të opozitës, pra pa pritur vendimin e Gjykatës së Lartë, por procesi të filloi menjëherë .

Ky dominim buron nga fakti se shëndeti i demokracisë shqiptare nuk mund të kurohet me metodat e vjetra të polarizimit përsonal.

Energjia madhështore e shesheve dhe ardhja e mijëra emigrantëve dëshmojnë se revolta është për dinjitet, liri, hapje institucionale dhe ndryshim sistemi, jo për mbrojtjen e status-quosë së elitës së vjetër që të ikë Rama e të rikthehet Berisha i tretë por Katovica të varroset.

Rrjedhimisht, mendimi akademik, ai qytetar dhe ai strategjik konvergojnë në idenë se kalimi i stafetës përmes strukturave të reja kolegjiale është i vetmi mekanizëm që i heq Edi Ramës alibinë e vetme të pushtetit dhe i kthen Shqipërisë shpresën për një rotacion e transformim të vërtetë demokratik.

Berisha ik’ që të rrëzohet Edi Rama!

© Panorama.al

Te lidhura