BE: Marrëveshja PD-PS, hap pozitiv

Dec 7, 2011 | 13:06

Pas arritjes së një marrëveshjeje politike midis palëve në Shqipëri, Këshilli të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian inkurajon vazhdimin e reformave për 12 rekomandimet e KE, çka do të mundësojë nisjen e negociatave për integrim. Këshilli i Bashkimit Europian ka miratuar konkluzionet për Ballkanin Perëndimor, në të cilin evidentohet së Shqipëria ka bërë progres së kufizuar në përmbushjen e dymbëdhjetë kritereve. “Këshilli mirëpret hapat e fundit pozitivë lidhur me bashkëpunimin midis qeverisë dhe opozitës në krijimin e një Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore, të një grupi pune për reformën e Rregullores së Kuvendit, si dhe të një kalendari për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicën me tre të pestat, e cila ka çuar në miratimin e parë të tri ligjeve të tilla. Këto zhvillime pozitive duhet të ndihmojnë për të kapërcyer ngërçin që ka dominuar skenën politike të vendit”, thuhet në dokument. Funksionimi i pavarur i institucioneve, si Kuvendi dhe Gjyqësori, theksohen në mënyrë të veçantë në raport. “Këshilli inkurajon qeverinë dhe opozitën për të ndërtuar mbi këto zhvillime të fundit pozitive, rivendosjen e plotë dhe të qëndrueshme të një dialogu konstruktiv politik, që të mbështesë funksionimin e duhur dhe pavarësinë e institucioneve kryesore demokratike, sidomos të Parlamentit dhe të Gjyqësorit. BE mbetet e angazhuar për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e vendit në këtë proces”, thuhet më tej në konkluzionet e BE.
Zgjedhjet
Vendimtare në dokumentin e miratuar nga Këshilli i BE-së cilësohet reforma zgjedhore, e cila duhet të përmbushë të gjitha rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR-i. “Dakordësia midis qeverisë dhe opozitës, në bashkëpunim me shoqërinë civile, mbi një reformë të plotë zgjedhore, duke trajtuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që nga viti 2007, përpara zgjedhjeve të ardhshme, mbetet vendimtare. Vetëm pas përmbushjes së çështjeve të mësipërme, Shqipëria do të jetë në gjendje për të ecur përpara në drejtim të BE-së, në përputhje me konkluzionet e Këshillit të Dhjetorit 2010”, thuhet më tej.
Sugjerimet për reformat
Në konkluzionet për Shqipërinë, vendit i kërkohet të bëjë gjithçka, që nga lufta kundër korrupsionit deri në zgjidhjen e çështjes së pronës. “Në përputhje me përfundimet e 20 qershorit 2011, Këshilli gjithashtu inkurajon autoritetet shqiptare për të intensifikuar përpjekjet me axhendën e reformave. Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme, sidomos në fushat kyçe, duke përfshirë Gjyqësorin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtjen e të gjitha minoriteteve, si dhe të drejtat e pronës. Këto konkluzione të BE-së do t’i kalojnë Samitit Europian që mbahet më 8-9 dhjetor.

vleresimi per zgjedhjet
“Zgjedhjet e 8 majit u vlerësuan si përgjithësisht konkurruese dhe transparente. Në mjedisin aktual politik është e vështirë të identifikohen individë apo institucione që konsiderohen të paanshme, të cilave t’u besohet emërimi i anëtarëve të paanshëm të KQZ”. Ekspertët e Komisionit të Venecias e vënë gishtin në plagën e vjetër të zgjedhjeve shqiptare, të cilat, sipas tyre, vuajnë më së shumti edhe mungesën e vullnetit të mirë të vetë forcave politike.

PS: Të shmanget dështimi i tretë
Partia Socialiste i ka cilësuar si të drejta konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Konkluzionet, sipas opozitës, tregojnë qartë se vendi ynë ka bërë hapa mbrapa përsa i përket procesit të integrimit. “Duke gjykuar me shumë shqetësim qasjen vetëshfajësuese të palës tjetër, ndërkohë që përgjegjësia madhore për dy dështime radhazi me statusin është qartësisht e qeverisë, Partia Socialiste nënvizon vullnetin e palëkundur të saj për të bërë gjithçka i takon që një dështim i tretë të shmanget”, përfundon reagimi i PS.

Bregu: Statusin e pengoi opozita
Konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian për ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, tregojnë qartë se kush është përgjegjës për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat. Bregu e ka akuzuar opozitën se për dy vite radhazi ka penguar integrimin e vendit. “Siç kuptohet qartë në konkluzionet e Këshillit, problemi i vetëm që ka penguar për dy vjet me radhë marrjen e statusit të vendit kandidat, pavarësisht pretendimeve boshe të kryetarit të Partisë Socialiste, i cili nuk pranon as sot përgjegjësitë e tij, ka qenë ngërçi politik i krijuar nga mungesa e vullnetit të opozitës”, thekson Bregu.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura