Barcelona-Real edhe në Kupën e Mbretit

Dec 24, 2011 | 14:33

Nuk do të jetë Barça-Real finalja e Kupës së Mbretit si në sezonin e shkuar. “El Clasico” në trofeun e dytë më të rëndësishëm të Spanjës pritet t’i çiftojë dy skuadrat më të mëdha iberike me njëra-tjetrën që në fazën e 1/4-ave. Por përpara se bota të shijojë 180 minuta të tjera spektakli dhe tensioni, fituesit në fuqi të këtij trofeu duhet të kalojë më parë pengesën e Malagës, ndërsa ata të Superkupës, Osasunën. Në rast se nuk do të kemi ndonjë surprizë të mundshme, takimi i parë do të luhet në “Bernabeu”. Takimet e para të fazës së 1/8-ave do të luhen më 3, 4 dhe 5 janar, ndërsa ato të kthimit më 10, 11 dhe 12 të po këtij muaji. Kapiteni i “galaktikëve”, Iker Kasijas, nuk kërkon të flasë për sfidën me Barcelonën kur nuk është kaluar ende Malaga. Portieri e ka quajtur skuadrën e Pelegrinit si një rival të denjë, i cili vështirë se do të mundet. “Malaga është një skuadër e shkëlqyer dhe, për t’i kaluar, ne duhet të bëjmë ndeshjen perfekte në ‘Bernabeu'”, – tha numri 1 i ekipit. Ksavi u shpreh se mezi po e pret një ndeshje të tillë, edhe pse do donte të takohej me rivalët në një tjetër finale: “Një tjetër derbi në kupë po afron. Ne mezi po e presim, edhe pse shpresonim që të mos takoheshim që në çerekfinale”, tha fantazisti katalanas. Në sfidat e tjera të shortit spikat Valencia-Sevilje dhe Real Sociedad-Majorka, dy çifte të tjera me skuadra të Primera Divizion.

© Panorama.al

Te lidhura