“Balluku me 300 apartamente dhe jahte private”- Blushi denoncon skandalin e ri: “Durana Tech Park”, skemë korruptive, e njëjtë me Inceneratorët! Aferë e hapur, 100 kompani s’paguajnë taksa

Jan 12, 2026 | 15:09

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, denoncoi sot skandalin e ri me “Durana Tech Park”, të cilën e cilësoi një skemë korruptive dhe skandal i njëjtë me Inceneratorët, ku vidhen paratë e qytetarëve shqiptarë pa bërë asgjë.

tedi blushi

Ai tha se atje janë të regjistruara 100 kompani që janë përjashtuar nga taksat për 10 vite dhe vijohet nga qeveria të futen duart në xhepat e shqiptarëve duke i vjedhur.

Ai theksoi se edhe zv/kryeministrja nën akuzë Belinda Balluku është kapur me 300 apartamente pasuri dhe jahte private, por asgjë nuk ndodh dhe vijojnë të përsërisin kontrata dhe skema abuzive financiare.

“Durana Tech park është njëlloj si skandali i inceneratorëve, nuk ekziston. Të regjistruara janë 100 kompani. Është i ngjashëm në skemë me atë të inceneratorëve. “Durana Tech Park” nuk ekziston, pasi këto komapni janë përjashtuar nga taksat. Ajo është aferë e hapur dhe askush nuk e fsheh. Kompanitë përjashtohen nga taksat për 10 vjet. Kjo kompani ka futur duart në xhepat e shqiptarëve. Lihen spitalet pa ilaçe, lihen të sëmurët e Onkologjikut pa medikamente, u sekuestrohet malli e mjetet fermerëve duarartë”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PL sot për “News 24”.

Më tej ai bëri analogjinë mes tregtarëve dhe qytetarëve të thjeshtë që u sekuestrohet biznesi dhe malli apo të gjobiten, kurse biznesmenët e mëdhenj favorizohen dhe u falen taksa e gjoba.

“Madje ka pasur edhe raste ndalimi, pasi nuk paguheshin taksa nga këta tregtar në Tiranë dhe s’i lejonte Veliaj dhe Rama, sepse e quanin evazion. Kurse këto kompani që vjedhin miliona veprojnë të lirë, madje u hiqen edhe gjoba. Raporti i OSBE e ka thënë qartë se Rama e nisi me 200 mln euro të zhdukura, e thotë raporti ndërkombëtar”, vijoi ai.

Blushi vuri në dukje edhe pasuritë përrallore dhe shpenzimet qeveritare, si rasti i zv/kryeministres Belinda Balluku. Kurse për qytetarët shqiptarë, ai nënvizoi se jetojnë nën minimumin jetik, në varfëri dhe me borxhe.

“Ja ku e keni, zv/kryeministren e pandehur me 300 apartamente dhe me jahte private. Kemi një kryeministër që konsumon verë mbi 33 mijë euro shishja, kurse në anën tjetër kemi shqiptarë që humbasin jetën në Onkologjik ose vuajnë varfërinë. Kemi skandalin tjetër, si u zhdukën 4 mln euro shishe verë, vajti vetëm kushëriri i Agasit dhe i vodhi? Këta të paktën të respektojnë ligjin, ose të paktën të mbante premtimin Shalsi dikur, se do vjedhin më pak. Thotë pensione e rroga do rriten. Shkojnë pensionistët atje dhe nuk marrin dot rritjen. Thonë nuk është rritur pensioni aspak”, tha Blushi.

Ligjvënësi opozitar tregoi edhe një detaj për “Durana Tech Park”, duke thënë se kishte shkuar ta kontrollonte lokacionin, por atje gjeti një lopë në livadh dhe jo një godinë të ngritur, siç pretendon kryeministri.

“Shqiptarët e morën të mirëqenë që parku u ndërtua. Pasi kështu e shfaqi këtë godinë Edi Rama. (Tregon planin në foto) Mjafton një kërkim në google map, dhe del e gjithë e vërteta. Vetëm 30 minuta larg Tiranës, në lokacionin që vetë kompania ka bërë publike, shkova vet që të njihesha me këtë zhvillim. Aty i vetmi rezident ishte një lopë pa zot, një parajsë fiskale, një plaçkitje, zhvatje si inceneratorët e Tiranës. E njëjta gjë ndodh dhe me ‘Durana Park’. Është vetëm një livadh dhe skemë kriminale zhvatjeje. Nëse nuk ka park, na lind e drejta që të dyshojmë se nuk ka as kompani apo zyrë të saj. Ose ata mund të kenë një zyrë në Bllok, por atje ishte livadh. Në atë livadh nuk ka as rrethim dhe as roje”, tha Blushi.

Deputeti akuzoi qeverinë edhe për përmbytjet e fundit në të gjithë vendin, duke thënë se është keqinvestuar dhe janë vjedhur fondet e veprave të ndryshme që shërbenin për të shkarkuar ujërat e shirave që bien.

© Panorama.al

Te lidhura