Babai i Ylli Bufit, letra që denoncoi Mehmet Shehun në ‘53

Dec 25, 2011 | 12:56

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu

Ngjarja e panjohur që tronditi KQ të Partisë, në vjeshtën e vitit ‘53.

“Është karrierist, kërkon t’i zërë vendin Enverit”
“Mehmet Shehu është karrierist e provokator, kërkon të likuidojë Enverin e të marrë pushtetin”. Në pak rreshta e me një shkrim të kujdesshëm, Sokrat Bufi, njëri nga studentët shqiptar të Akademisë Politike të Moskës, sinjalizonte në mesin e vitit ‘53 kreun e Partisë për rrezikun e një puçi nga ministri i Brendshëm. Denoncimi i pazakontë e gjente lidershipin e Tiranës në vorbullën e pështjellimit të shkaktuar nga dy ngjarje të papritura: Vdekja e Stalinit dhe arrestimi i Beries, kreut të Policisë Sekrete të BS dhe krahut të djathtë të tij. I gjunjëzuar nga humbja e “babait” ideologjik, Enver Hoxha kishte mbetur i befasuar me lajmin pasues që vinte nga Kremlini. Arrestimi dhe ekzekutimi i rrufeshëm i shefit të KGB-së fill pas vdekjes së Stalinit, për një puç të mbetur në tentativë, në psikikën e Hoxhës, të fiksuar nga paranoja e eliminimit, merrte një domethënie ndjellakeqe. Arsyet ishin nga më bindëset. Ai më besniku i kreut të Kremlinit, dora e fortë që kishte spastruar armiqtë e tradhtarët e kauzës së socializmit në BRSS, një moment kishte tentuar të likuidonte edhe vet Stalinin, madje, flitej se kishte gisht në helmimin e tij. Ky për Hoxhën nuk ishte një lajm i zakonshëm, qoftë edhe si ai për vdekjen e babit të Kremlinit. Beria i tmerrshëm i Partisë Komuniste të BS  mund të ringjallej në variantin shqiptar, e kjo mund t’i kushtonte jo thjesht pushtetin, por edhe kokën! Vetëm pak vite më parë, Hoxha kishte qenë në zgrip të rrëzimit, por manovra e Koci Xoxes, njeriut që i besoi portofolin e ministrit të Brendshëm pas luftës dhe doli i pabesë, kishte dështuar që në gjenezë. Mirëpo, nuk qenkej e thënë që me zhdukjen e Xoxes të zhdukej një herë e mirë edhe precedenti i komplotit nëpërmjet Policisë Sekrete. Paranoja e Hoxhës në këtë rast kishte arsye t’i kapërcente kufijtë e zakonshëm.
Pikërisht në këtë periudhë, letra e Bufit me sinjalin tmerrues për një puç të fshehtë nga kreu i Sigurimit, e bënte edhe

Sokrat Bufi

më drithëruese gjendjen e Hoxhës. Përtej sfondit që ofronte realiteti në Moskën e largët, mesazhi i mbërritur prej andej, jo vetëm nuk mund të ishte një përçartje e studentit që kishte guxuar t’i shkruante Enverit, por duhej vlerësuar për t’i paraprirë çdo rreziku të mundshëm, qoftë edhe duke i prerë kokën  puçistit të dyshuar. Në fakt, mënyra si operoi Hoxha në këtë rast me lajmëtarin dhe objektin e denoncuar prej tij, është një histori sa e çuditshme aq dhe misterioze, e cila nuk u zbardh kurrë. Emri i Bufit dhe teksti i letrës adresuar nga Moska për Hoxhën nuk u përmend asnjëherë, qoftë edhe në qarqet e larta të nomenklaturës. Çuditërisht, ajo u shfaq publikisht, madje vetëm në vitin 1982, në të famshmen “tabllo sinoptike” që Hoxha artikuloi gjerësisht mbi veprimtarinë tradhtare të poliagjentit Mehmet Shehu. Me sa dukej, kreut të Partisë i duhej edhe një argument më shumë për të mbushur mendjet e të tjerëve me paudhësitë dhe veprën armiqësore të Shehut. Po kush ishte Sokrat Bufi dhe në çfarë rrethanash denoncoi komplotin e madh? Si operoi Hoxha me letrën e mbërritur nga Moska dhe pse e konservoi historinë e saj për tri dekada? Cili ishte reagimi i Shehut për përmbajtjen e dokumentit sekret dhe si u zgjidh debati i nxehtë i vjeshtës 1953? Këto dhe një sërë dilemash të tjera zbulohen për herë të parë nëpërmjet investigimit që gazeta “Panorama” ka bërë për ngjarjen që tronditi Komitetin Qendror në vjeshtën e vitit ‘53…
Denoncimi i Bufit
Unë e kam njohur shokun Mehmet gjatë luftës në një mbledhje të Këshillit Nacionalçlirimtar të Hekalit, ku foli qartë dhe më bëri përshtypje të mirë. Edhe gjatë gjithë kohës së luftës kam pasur simpati për të si luftëtar i mirë i Partisë.
Kur jam kthyer nga BS, ku isha delegat i delegacionit bujqësor, kam lexuar kryeartikullin e “Zërit të Popullit” mbi ditëlindjen e komandantit të shkruar nga shoku Mehmet Shehu dhe nuk më la përshtypje të mirë, sepse në të nuk delte mirë roli dhe puna e komandantit në drejtimin e Partisë dhe të popullit tonë.
Po kështu, letra e komandantit për cilësimin e kulakëve punuar nga shoku Mehmet me kryetarët dhe nënkryetarët e komiteteve ekzekutive të rretheve shkaktoi likuidimin e kulakëve para kohe me metoda policore. Orientimi i dhënë nga shoku Mehmet që seksionet e Bujqësisë pranë komiteteve të Partisë të mbajnë evidenca të veçanta për armiqtë, mua nuk më duket i drejtë.
Orientimi i Mehmetit që të mbahen lista për elementët armiq (këtu përfshinte edhe fshatarë të varfër e të mesëm) është një qëndrim shumë sektar dhe ka dëmtuar rëndë vijën e Partisë në lidhje me fshatin. Shoku Mehmet nuk ka pasur besim për punën tonë. Këtë e lidh me faktin se shoku Mehmet na kërkoi një më një karakteristikat e kulakëve dhe njerëzve që nuk kanë triskë fronti. Unë mendoj se udhëheqësi i Partisë, aq më tepër sekretari i KQ, jep vijën të cilën duhet ta zbatojnë kuadrot poshtë. Por që të kërkohen një më një listat e kulakëve, kjo do të thotë të vësh në dyshim njerëzit që drejtojnë poshtë. Këtë e lidh edhe me inaugurimin e uzinës së zhveshjes së pambukut në Fier, ku për ardhjen e komandantit e mora vesh vetëm mbrëmjen e ditës së inaugurimit nga nënkryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Sulo Alija.
Vendimet e Plenumit IX të KQ i kam punuar dhe më kanë ndihmuar  për luftën kundër armikut të klasës, por shkarkimin e shokut Tuk Jakova si anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar për kuadrin në veten time e kam quajtur të padrejtë. Unë kam konstatuar se shoku Mehmet, si anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ, ka punuar keq. Me këtë përshtypje kam shkuar në BS. Ku u zhvilluan punimet e Kongresit XIX të PKBS, unë në bazë të këtyre materialeve kam denoncuar si provokacion shprehjet e shokut Mehmet në lidhje me BS. Kur erdhi rezolucioni i Plenumit VII të KQ, unë thashë se këtë nuk e ka shkruar komandanti. Për këtë u influencova edhe nga thënia e shokut Ramiz, i cili më tha se mundet të mos e ketë bërë komandanti. Dhe për më tepër, për mendimin që kisha për shokun Mehmet, si një njeri që do t’i zërë vendin komandantit.
Pas zbulimit të tradhtisë së Beries në lidhje me shfaqjet e organeve të punëve të brendshme mbi partinë, ka pasur edhe te ne shfaqje të tilla. P.sh., urdhri që u është dhënë organeve të Brendshme që përveç shokut Mehmet, pa lejen e Degës së Brendshme asnjë nuk lejohet të hyjë në objektet e reja, bile për të siguruar besnikërinë e njerëzve që punojnë në këto ndërmarrje duhet të merret aprovimi i Degës së Brendshme para se të merret në punë. Edhe tashti në uzinën e zhveshjes së pambukut në Fier, sipas thënieve të sekretarit të Partisë, ka raste që  për njerëzit që do të merren në punë në uzinë duhet të merret aprovimi i Degës së Brendshme…

Si lindi çështja “Bufi”

Sokrat Bufi

Ka qenë vera e vitit 1953, kur në adresë të Enver Hoxhës mbërriti një letër e çuditshme nga Moska. Autori i saj, Sokrat Bufi, njëri ndër studentët shqiptarë të Shkollës së lartë të Partisë  në Bashkimin Sovjetik, me kurajën e komunistit vigjilent, informonte komandantin për një ngjarje tronditëse: Mehmet Shehu po përgatit likuidimin e Sekretarit të Parë! Në shtjellim të provave për puçin e mundshëm, Bufi rreshtonte një sërë faktesh që zbulojnë sipas tij tradhtinë e ministrit të Brendshëm. Shehu është karrierist e provokator, shkruan ai, dhe punon për të vënë organet e Sigurimit mbi Partinë. Madje nuk ngurron ta krahasojë atë me Berien, ish-kreun e KGB-së, të ekzekutuar menjëherë pas vdekjes së Stalinit si agjent i imperializmit. Sinjali ishte i fortë e tronditës. Enver Hoxha nuk kishte arsye ta vinte në diskutim vërtetësinë e tij. Fillimisht kërkoi të njihej me biografinë e autorit të letrës dhe urdhëroi kthimin e menjëhershëm të tij në Shqipëri. Që këtej, çështja “Bufi” u bë makthi i kupolës së Partisë. Shqyrtimi i saj nisi rrufeshëm. Sipas skemës së Hoxhës, Bufi u përball së pari me Manush Myftiun, sekretarin e KQ për propagandën. Para tij, letërshkruesi shpalosi një për një ato që kishte shkruar në Moskë, duke shpërfillur hapur këshillën për autokritikë. Të njëjtën gjë përsëriti në takimin me Enverin. Po kështu edhe në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të thirrur enkas për të. Çështja “Bufi” më tej u shqyrtua në Byronë Politike dhe në një plenum të veçantë të KQ. Tanimë presioni u bë edhe më i ashpër. Iu përmend aty martesa e të motrës me një shtetas jugosllav dhe përjashtimi i të vëllait nga Partia. Po Bufi nuk lëvizi asnjë presje nga denoncimi për Mehmet Shehun, madje as në praninë e këtij të fundit. Nga gjithë aksioni kundër tij u përftua vetëm një autokritikë e përgjithshme për të qenë më i kujdesshëm në vlerësimin e drejtuesve të Partisë. Sidoqoftë, çështja Bufi mbeti angazhimi kryesor i KQ gjatë tërë ditëve të tetorit 1953.

“Bufi me sjelljet që demonstron ose është çmendur, ose bën lojën e reaksionit”
Rebelimi i Mehmet Shehut: Sokrati duhet arrestuar

Mehmet Shehu

“Sokrat Bufi të përjashtohet nga Partia dhe të arrestohet si element reaksionar e provokator”. Ka qenë ky rebelimi i Mehmet Shehut menjëherë sa është njohur me përmbajtjen e letrës që Bufi i adresonte Enver Hoxhës nga Moska, ku e denonconte si karrierist që kërkonte t’i zinte vendin shefit të Partisë. I ndodhur në një situatë krejt të pafavorshme, ish-ministri i Brendshëm dhe anëtari i Byrosë Politike, shtrëngohej të shpërthente përpara eprorit të vet indinjatën për denoncimin shkatërrues, që sipas tij, nuk kërkonte thjesht kokën e Beries të Shqipërisë, por përçarjen e udhëheqjes së Partisë. Më herët, Hoxha e ka njohur Shehun me akuzat që ngrite Bufi nga Moska nëpërmjet telefonit. Fillimisht ish-ministri i Brendshëm nuk i ka kushtuar rëndësi dhe është mjaftuar me rekomandimin për ta shqyrtuar në mbledhjen e radhës të Sekretariatit të KQ. Madje, aty për aty ka kundërshtuar edhe idenë e Hoxhës për t’i ndërprerë të drejtën e studimit Bufit, duke i anuluar pasaportën e udhëtimit. Më vonë, kur e ka lexuar nga afër letrën e tij, ka shpërthyer vrullshëm duke propozuar masa ekstreme për autorin e saj. “Sokrati ose është çmendur dhe duhet shtruar në spital, ose bën lojën e reaksionit”, është shprehur Shehu në mbledhjen e Sekretariatit të KQ, ku është shqyrtuar çështja “Bufi”. Po aty, ish-ministri i Brendshëm ka kundërshtuar prerë rekomandimin e sekretarit të KQ, Josif Pashko, për ta emëruar atë kryetar të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Beratit. “Nuk mund t’i besojmë një detyrë kaq të rëndësishme një njeriu që flet si radio Uashingtoni dhe Londra”, ka vijuar Shehu i papërmbajtur. Teksa është ndjerë i mbështetur nga Hoxha, që ka rekomanduar “ngrirjen” e Bufit deri në shqyrtimin në Byronë Politike, Shehu ka vazhduar retorikën e tij për dëmin e jashtëzakonshëm që sjellin qëndrime të tilla në përçarjen e Partisë.

“Tabloja sinoptike mbi veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut”
E konservuar në arkivat e KQ qysh në vitin 1953, çështja “Bufi” do t’i destinohej harresës, madje edhe nga vetë protagonistët e ngjarjes. Vetëm pas tri dekadash, Enver Hoxha do kujtohej ta vinte në vëmendje të opinionit, por në një kontekst krejt tjetër. Ishte kulmi i fushatës denigruese ndaj kryeministrit të vetëvrarë në kushte të dyshimta dhe kreut të Partisë i duhej të qëmtonte faktet e forta për të bindur të tjerët se pas Mehmet Shehut ishte një poliagjent i rrezikshëm. Në manifestin “Tablloja sinoptike mbi veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut”, publikuar në vitin 1982, kronologjisë së rasteve të dyshimta që penalizojnë ish-kryeministrin, Hoxha i shton edhe atë të letrës së Bufit, që denoncoi Shehun për rrezikun e një puçi. Ndryshe nga qëndrimi i ashpër për denoncuesin në vitin 1953, këtë radhë kreu i Partisë është gati ta dekorojë Bufin për guximin dhe vigjilencën e treguar në atë vit të mbrapshtë. Po çfarë shkruan Hoxha në ‘82 për letrën e Bufit…

Pas vdekjes së Stalinit, ekipi që erdhi në fuqi dënoi Berian, shefin e KGB-së sovjetike, për shumë shkelje të ligjshmërisë. Ne i kërkuam Mehmet Shehut të shikonte se mos ishin bërë gabime edhe në organet e Ministrisë sonë të Punëve të Brendshme që drejtonte ai. Mehmet Shehu u tremb se mos ishin zbuluar lidhjet e tij me KGB-në sovjetike dhe e pësonte si Beria. Shkoi tek ambasadori sovjetik, Leviçkin, të cilin e siguroi për besnikërinë e tij ndaj ekipit të ri hrushovian që erdhi në fuqi dhe kërkoi mbështetjen sovjetike, sepse, sipas thënieve të tij, “Enver Hoxha e shihte me dyshim” dhe për këtë ishte shumë i tronditur. Leviçkini e këshilloi Mehmetin të vinte tek unë dhe të sqaronte pozitën e tij, duke e siguruar se edhe ai do ta mbronte. “Vetë Leviçkini erdhi tek unë, më parashtroi shqetësimet e Mehmet Shehut dhe më tregoi se e kishte këshilluar të vinte tek unë. Mehmet Shehu nuk erdhi për dy-tri javë. Në një takim me Leviçkinin, ky më pyeti nëse kisha biseduar me Mehmet Shehun. Iu përgjigja se ai nuk kishte ardhur fare dhe se nuk mendoja ta thërrisja vetë, sepse duhej të paraqitej ai, të bënte një autokritikë të thellë, pasi e konsiderova gabim vajtjen te Leviçkini, pa biseduar më parë me mua si sekretar i Përgjithshëm, kundrejt të cilit kishte ankime.
Leviçini u shqetësua dhe e “urdhëroi” Mehmet Shehun të vinte tek unë. Ky dërgoi më parë Fiqret Shehun që të tatonte pulsin tim. Kjo erdhi të dinte se çfarë kishte Mehmeti që “ishte jashtëzakonisht i shqetësuar” (sikur ajo vetë nuk e dinte). Unë iu përgjigja se “ne nuk kishim gjë me të, le të pyeste të shoqin se mos kishte gjë ai me ne”. Mehmeti u sigurua kështu se ne nuk kishim bërë ndonjë zbulim dhe nuk kishim ndonjë dyshim kundër tij. I shtyrë nga Leviçkini, ai erdhi tek unë, bëri autokritikë, bëri gjithashtu autokritikë edhe në Byronë Politike dhe në Plenumin e Komitetit Qendror, duke thënë se kishte bërë një gabim të rëndë që kishte shkuar tek ambasadori sovjetik për t‘u ankuar për sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Qendror, pa biseduar me të dhe pa e shtruar çështjen në udhëheqjen e Partisë.
Më vonë, ngjau diçka që e trembi dhe e shqetësoi shumë Mehmet Shehun: Sokrat Bufi, kuadër partie që studionte atëherë në Moskë, i dërgoi një letër Komitetit Qendror ku thoshte se “Mehmet Shehu është provokator”. Mehmet Shehu u tërbua nga kjo dhe kërkoi me këmbëngulje në Sekretariat dhe në Byronë Politike të Komitetit Qendror, disa herë edhe tek unë, që Sokrat Bufi të arrestohej e të dënohej. Ne nuk e pranuam propozimin e tij, se ishte në kundërshtim me normat e Partisë, të dënohej vetëm për faktin se ai kishte bërë një kritikë ndaj një udhëheqësi Partie. Duke qenë se Sokrati u emërua nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të një rrethi, Mehmet Shehut iu ngjall më shumë krimbi i dyshimit se mos ne kishim zbuluar gjë për gjynahet e tij dhe vazhdoi të qëndronte si mbi prush, të jetonte e të punonte në ankth.
Në kuadrin e veprimtarisë së ethshme të Hrushovit e të Titos, pas Kongresit të 20-të, agjentët e tyre në Shqipëri, me Mehmet Shehun, Beqir Ballukun e Fiqret Shehun në krye, në lidhje të ngushtë me Ambasadën Jugosllave dhe Sovjetike në Tiranë, organizuan komplotin për devijimin e Konferencës së Partisë për Tiranën, me synimin e vjetër për të rrëzuar udhëheqjen e shëndoshë të Partisë, për të rehabilituar elementët antiparti dhe armiq të popullit, Koçi Xoxen me shokë, për të ndryshuar vijën e për të shkuar në Kongresin e Partisë, që kishim përpara, në binarët që na kishin shtruar Hrushovi me Titon, sipas Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik… Grupi komplotist i Konferencës së Tiranës u shpartallua. Disa u përjashtuan nga Partia, disa të tjerë iu dhanë gjyqit. Por kryesorët shpëtuan. Mehmet Shehu e Beqir Balluku fshehën këmbët, dënuan “komplotistët”, kurse Fiqret Shehu, që ishte sekretare e Parë e Komitetit të Partisë për Tiranën, u “betua” se s‘kishte pasur asnjë sinjalizim, se ishte vepruar “prapa krahëve” të saj, se ajo ishte mbyllur në shtëpi për përgatitjen e raportit etj. Atëherë nuk dinim gjë as për Feçorr Shehun, i cili, siç del tani, ishte agjent i rekrutuar nga UDB-ja dhe ndërlidhës mes Ambasadës Jugosllave e Mehmet Shehut dhe Fiqret Shehut. Me Ambasadën Sovjetike lidhjet i mbante direkt Mehmet Shehu, duke shfrytëzuar me lehtësi marrëdhëniet e mira që kishim ne në atë kohë me Bashkimin Sovjetik.

vijon…

AFRIM IMAJ

© Panorama.al

Te lidhura