Avokati Gentian Serjani deklaroi se të gjithë personat e shoqëruar pas protestës ndodhen aktualisht në paraburgimin e “Mine Pezës”, ndërsa ngriti shqetësimin për gjendjen shëndetësore të njërit prej tyre, i cili sipas tij vuan nga epilepsia.
I ftuar në emisionin e drekës në News24, Serjani tha se i shoqëruari kishte pësuar kriza të njëpasnjëshme epileptike dhe kishte qëndruar në spital deri në orët e para të mëngjesit. Për këtë arsye, ai bëri të ditur se ka kërkuar që klienti i tij të mos vijojë të mbahet në paraburgim.
Avokati, i cili përfaqëson Romario Dushin dhe Niko Qarkajn, u shpreh se shtatë persona janë arrestuar që rreth orës 09:00, përpara se të niste protesta, pas asaj që ai e cilësoi si provokim nga truprojat e ish-ministrit Ulsi Manja.
Sipas Serjanit, ndaj tyre janë ngritur akuzat për pjesëmarrje në tubim të paligjshëm, shkatërrim prone dhe prishje të qetësisë publike.
Ai kritikoi mënyrën e formulimit të akuzave, duke theksuar se ato janë identike për të gjithë të arrestuarit, pavarësisht se, sipas tij, autoritetet disponojnë pamje që tregojnë rolin individual të secilit.
“Akuzat janë ‘copy-paste’ për të gjithë, edhe pse për disa ka pamje dhe për të tjerë jo. I kam kërkuar Prokurorisë një vlerësim të rrethanave ligjore për secilin rast”, u shpreh ai.
Serjani shtoi se mbetet në pritje të seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, duke theksuar se, sipas tij, për shtatë personat e arrestuar para nisjes së protestës nuk rezultojnë prova që të kenë ushtruar dhunë.
“Nuk kemi parë akte dhune nga këta shtatë persona. Besoj se gjykata do të vlerësojë ligjshmërinë e masave, por askush nuk ua kthen 72 orët e heqjes së lirisë”, deklaroi avokati.
© Panorama.al












