Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO ) ka dënuar me burg përjetë Plaurent Dervishajn dhe ka dënuar me 35 vite Julian Meçen lidhur me atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019.

Edhe SPAK kishte kërkuar të njëjtin dënim për të dy, me akuzën se kanë pasur rol në organizimin dhe financimin e atentatit ndaj ish-prokurorit dhe Aleksandër Laho, i njohur edhe si Rrumi i Shijakut.
Atentati ndaj ish-prokurorit u zbardh plotësisht nga transkriptimi i bisedave në aplikacionin e koduar SKY ECC, që përdorej masivisht nga elementë të krimit të organizuar në vendin tonë.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë Aleksandër Laho, i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.
© Panorama.al











