Skandali me Agjencinë Kombetarë të Shërbimit të Informacionit ka marrë vëmendjen e mediave të huaja ndërkombëtare. Pas New York Times, edhe media e madhe franceze Libération, ka shkruar për krijuesit e “Diellës” ministres virtuale, të cilët përballen me akuzat e një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas Libération, problemi nuk qëndron te vetë asistenti virtual, por te profili i errët i krijuesve të saj, të lidhur me Agjencinë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI).
Më 16 dhjetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi nisjen e procedimeve penale ndaj tetë shtetasve shqiptarë, përfshirë drejtoreshën e kësaj agjencie dhe zëvendësin e saj.
LEXO EDHE: “Rasti i Ballukut, ‘dhimbje koke’ për Ramën”- New York Times: “Diella” u gjenerua për të luftuar korrupsionin, por ata që e krijuan përballen me paradoksin e korrupsionit
Sipas komunikatës zyrtare të prokurorisë, të dyshuarit lidhen me një “grup kriminal të strukturuar”, i cili akuzohet për manipulim dhe intimidim në proceset e prokurimeve publike. Akuzat variojnë nga shkelja e barazisë në tenderë dhe ankande publike, te konkurrenca e pandershme përmes dhunës, e deri te privimi i paligjshëm i lirisë.
AKSHI është institucioni që administron infrastrukturën digjitale të qeverisë shqiptare dhe kontrollon një numër të madh sistemesh publike online, përfshirë edhe platformën e ministres virtuale Diella. Deri më tani, drejtoresha e agjencisë dhe zëvendësi i saj nuk janë zyrtarisht të akuzuar.
I pyetur për çështjen, kryeministri Edi Rama, në deklarata të cituara nga New York Times dhe të përcjella nga Libération, u shpreh: “Duhet të presim dhe të shohim”, duke shtuar se institucioni në fjalë duhet të garantojë “jo vetëm pavarësinë, por edhe profesionalizmin”.
Shqipëria, e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, e ka vendosur luftën kundër korrupsionit në qendër të axhendës së saj politike. Kjo është gjithashtu një nga kushtet kryesore për integrimin europian. Që prej majit 2025, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare, janë hapur disa hetime të bujshme, përfshirë ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Megjithëse një raport i Komisionit Europian, i publikuar në nëntor, vlerësoi “disa përparime” të Shqipërisë në këtë fushë, ekspertët europianë theksojnë se korrupsioni mbetet ende “gjerësisht i përhapur” në vend, përfundon Libération.
© Panorama.al












