
“Cilësia në spitalet publike dhe klinikat është përmirësuar falë Ministrisë së Shëndetësisë dhe zotit Vasili”. Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, e ka bërë këtë deklaratë në Koplik të Malësisë së Madhe. Arvizu, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, ishin të pranishëm në çeljen e Panairit Shëndetësor, organizuar nga Drejtoria e Shërbimit Shëndetësor, Kryqi i Kuq dhe World Vision. Në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve, Arvizu ka falënderuar banorët për pritjen e tyre dhe ka theksuar rëndësinë e edukimit për një shëndet sa më të mirë. “Jemi këtu për të folur për shëndetin në konceptim të ndërgjegjësimit për shëndetin. Ajo që Korpusi i Paqes dhe Ambasada Amerikane janë përpjekur të bëjnë këto javët e fundit, është të promovojnë ndërgjegjësimin për shëndetësinë në mbarë Shqipërinë”, u shpreh Arvizu. Ambasadori amerikan ka shtuar se është shumë i rëndësishëm ndërgjegjësimi i njerëzve, në veçanti i nxënësve të shkollave për kujdes ndaj shëndetit. Sipas Vasilit, edukimi shëndetësor është pjesë e rëndësishme e reformës në sektorin shëndetësor dhe një nga prioritetet e qeverisë shqiptare. Motoja jonë është shëndetësia sa më afër qytetarit, teksa profilaksia është themeli i sistemit shëndetësor. Një vend të rëndësishëm në fjalën e ministrit të Shëndetësisë kanë zënë dhe konsideratat për bashkëpunimin e suksesshëm me Korpusin e Paqes dhe mbështetjen e qëndrueshme dhe të vazhdueshme të Ambasadës Amerikanë në adresë të sistemit shëndetësor shqiptar.











