Arjan Beqaj rrëfen vendimin për t’i dhënë fund karrierës dhe për të marrë një post si trajner i portierëve te Anorthosis. “Ende nuk më besohet që i kam dhënë fund futbollit të luajtur. Gjithsesi, nuk jam penduar për vendimin që mora. Viti i fundit ishte tepër i vështirë për mua, pasi luajta shumë pak prej dëmtimeve. Kjo më mërziti me të vërtetë. Anorthosis më ofroi një kontratë 4-vjeçare për të qenë trajner i portierëve dhe më bindi që ta pranoja. Si fillim, ndihem shumë i aftë në këtë detyrë, por synoj të specializohem për të qenë trajner i parë i një skuadre. Kam ende shumë vite në dispozicion”, deklaroi Beqaj. “Kur i bëra të ditur vendimin për tërheqje presidentit të FSHF-së, Armand Duka, ai u mundua të më bindë për të vazhduar edhe një vit. Gjithsesi, unë nuk ndryshoj mendim. Në Kombëtare më zëvendëson mjaft mirë Samir Ujkani. Është tepër i talentuar dhe mbi të gjitha ka më shumë eksperiencë se të gjitha kandidatët e tjerë, për faktin e thjeshtë se ka luajtur në një nivel të lartë. Aktivizimi në Serinë A do e ndihmojë edhe më shumë. Në ndeshjen e ardhshme ndaj Francës do vij në Shqipëri për të takuar miqtë dhe shokët e Kombëtares, por vetëm kaq. Do e ndjek si spektator atë sfidë”, shtoi 35-vjeçari. Në karrierën e tij të gjatë, ai specifikon që kulmi ka qenë kur luajti në Ligën e Kampioneve me Anorthosisin.










