Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ka reaguar pas një lajmi sipas të cilit Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht në Zvicër kërkesën për ekstradimin e tij dhe se SPAK ka hapur hetime të reja ndaj tij.
Në një reagim në rrjetet sociale, Ahmetaj ka mohuar të ketë një kërkesë për ekstradimin e tij. Ai thotë se kërkesa për ekstradim ka mbi dy vjet që është bërë, dhe ligji e parashikon që mund të bëhet vetëm një kërkesë.
Ndërsa sa i përket hapjes së hetimeve të reja ndaj tij aga ana e SPAK për një transfertë prej 3 milionë euro të dyshuar drejt Austrisë, Ahmetaj shkruan: “Pseudo-transferta ka mbi një vit që hetohet dhe prokurori e di mirë që nuk ka asnjë transfertë midis meje dhe kujtdo tjetër, e aq më tepër biznesmenëve apo biznesmenit në fjalë. Le të ngelet si sfidë!!! Shume shpejt “përkthehet” letër-porosia.”
Ndër të tjera, Ahmetaj e ka cilësuar lajmin se si “zhurmë e iniciuar me qëllim nga regjimi”, që sipas tij, ka për qëllim të heq vëmendjen nga mega skandalet e fundit dhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës.
Reagimi i Ahmetajt:
Një qëndrim përsa i përket lajmit të sotëm të rremë që Ministria e Drejtësisë paska dorëzuar një kërkesë të re për ekstradim, dua të sqaroj sa vijon:
- Kërkesa për ekstradim ka mbi dy vjet që është bërë me urgjencë në 18 Gusht të vitit 2023. Ligji e përcakton që bëhet vetëm një kërkesë. Dhe sikur të kishte do të ishte në vazhdën e tymnajës…
- Pseudo-transferta ka mbi një vit që hetohet dhe prokurori e di mirë që nuk ka asnjë transfertë midis meje dhe kujtdo tjetër, e aq më tepër biznesmenëve apo biznesmenit në fjalë. Le të ngelet si sfidë!!! Shume shpejt “përkthehet” letër-porosia.
- Pse bëhet zhurma e iniciuar me qëllim nga regjimi??? E thjeshtë fare! Të hiqet vëmendja nga mega skandalet e fundit dhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës.
- Më shumë detaje, në vijim….
SPAK njofton se ka hetim të ri për Arben Ahmetajn
Gjatë seancës së sotme (17 nëntor) për dosjen “Buka” ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, SPAK ka njoftuar se ndaj ish-zyrtarit të lartë ka edhe një hetim të ri.
Bëhet fjalë për një transfertë prej 3 mln euro të dyshuar drejt Austrisë, për të cilën po kryhen investigime nga prokuroria.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se prokurori Elvin Gokaj, ka kërkuar të pyeten si dëshmitarë 14 persona, ndër to dhe ish-ministri Shkëlqim Cani. Prokurori i SPAK theksoi se është rënë në kontakt se një shumë e madhe parash, konkretisht 3 milionë euro, është transferuar nga Shqipëria në një vend të BE-së, drejt Austrisë.
Nuk specifikohet nëse kjo shumë është e lidhur direkt me privatizimin e shoqërisë në fjalë, por dyshimet ekzistojnë.
“Kemi rënë në kontakt me një shumë të madhe parash që janë transferuar nga Shqipëria në një vend të BE që po verifikohet”, tha prokurori.
Ndërkohë, avokati i Ahmetajt, tha se: “Prokurori po thotë qe po na doli gjë nga kjo do ngrëmë akuzë, nëse ka hetime të tjera për këtë çështje prokurori nuk kishte ngutje të mbyllte hetimet, nuk mund të jetë proces i rregullt me akte surprizë, nëse ka prova të tjera, prokurori t’i paraqesë”.
© Panorama.al












