Arabia Saudite dhe Katari nënshkruan sot një marrëveshje për ndërtimin e një linje hekurudhore me shpejtësi ultra të lartë që do të lidhë dy mbretëritë e Gjirit, në një tjetër shenjë të përmirësimit të marrëdhënieve mes tyre, të cilat në të kaluarën kanë qenë të tensionuara.
Sipas njoftimit të publikuar në median zyrtare saudite, kjo linjë hekurudhore do të lidhë Riadin me Dohan, duke kaluar edhe në disa qytete të tjera të mëdha.
Udhëtimi nga një kryeqytet në tjetrin pritet të zgjasë rreth dy orë, me trenat që do të lëvizin me shpejtësi mbi 300 kilometra në orë.
Aktualisht, fluturimi ajror mes dy vendeve zgjat rreth një orë e gjysmë. Projekti parashikohet të përfundojë brenda gjashtë viteve, ndërsa synimi është që linja të transportojë rreth 10 milionë pasagjerë në vit.
Marrëveshja u nënshkrua në Riad nga princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, dhe emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.
Në vitin 2017, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Bahrejni dhe Egjipti ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Dohan, duke e akuzuar Katarin se mbështeste lëvizje islamiste, se afrohej me Iranin dhe se nxitonte tensione në rajon përmes kanalit të tij televiziv, Al Jazeera. Katari i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.
Bllokada diplomatike dhe ekonomike u hoq në janar të vitit 2021. Që atëherë, udhëheqësit e të dy mbretërive janë takuar rregullisht dhe kanë bashkuar forcat në disa iniciativa diplomatike, kryesisht në përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës.
© Panorama.al












