Akuzohet për vrasjen e 14-vjeçares, zbardhen mesazhet mes këngëtarit D4vd dhe viktimës! Vajza kishte qenë shtatzënë dhe kishte kryer abort para vdekjes

Jul 25, 2026 | 17:05

Mesazhe të zbuluara mes këngëtarit D4vd dhe Celeste Rivas Hernandez, 14-vjeçares për vdekjen e së cilës ai akuzohet, kanë nxjerrë detaje të reja gjatë një seance gjyqësore në Los Angeles.

D4VD1

Sipas BBC-së, prokurorët paraqitën në gjykatë komunikimet mes këngëtarit, emri i vërtetë i të cilit është David Anthony Burke, dhe adoleshentes, duke pretenduar se bisedat tregojnë se ajo kishte qenë shtatzënë dhe kishte kryer një abort para vdekjes së saj.

Mesazhet u zbuluan gjatë seancës ku po shqyrtohet nëse D4vd duhet të përballet me gjyq për akuzat e ngritura ndaj tij për vrasjen e Celeste Rivas Hernandez.

Sipas prokurorëve, një nga mesazhet e dërguara në qershor 2024, kur vajza ishte 13 vjeçe, lidhej me një abort të mëparshëm. Në një tjetër bisedë të paraqitur në gjykatë, të dy diskutonin për shtatzëninë dhe përgjegjësinë për fëmijën.

Prokuroria pretendon se Burke e vrau adoleshenten pasi ajo e kërcënoi se do të zbulonte marrëdhënien mes tyre dhe akuzat për abuzim seksual, gjë që sipas tyre do t’i dëmtonte karrierën. Këngëtari është deklaruar i pafajshëm për akuzat për vrasje dhe abuzim seksual.

Gjatë seancës, prokurorët paraqitën të dhëna të rikuperuara nga iCloud i telefonit të këngëtarit, ku sipas tyre gjendeshin mesazhe mes tij dhe Celeste që datonin që nga viti 2022, kur ajo ishte 11 vjeçe dhe Burke 17.

Hetuesit thanë gjithashtu se në pajisjet e këngëtarit ishin gjetur materiale që lidhen me abuzimin e dyshuar seksual ndaj të miturës.

Detektivi i Policisë së Los Angelesit, Corey Farell, dëshmoi se ADN-ja e marrë nga gjaku i gjetur në shtëpinë dhe garazhin e Burke në Hollywood Hills përputhej me atë të Celeste.

Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, dyshja kishin diskutuar edhe mundësinë e të jetuarit së bashku, duke e quajtur planin e tyre “Operacioni i Mrekullueshëm”. Prokurorët pretendojnë se ata patën një konflikt pak para vdekjes së vajzës.

Mjeku ligjor Grant Ho deklaroi gjatë seancës se ishte e vështirë të përcaktohej koha e saktë e vdekjes së Celeste për shkak të gjendjes së mbetjeve kur ajo u gjet. Mbrojtja është mbështetur te kjo pasiguri për të ngritur dyshime mbi versionin e prokurorisë.

Celeste Rivas Hernandez ishte raportuar e zhdukur nga familja e saj dhe mbetjet e saj u gjetën në shtator 2025 në bagazhin e përparmë të makinës Tesla të këngëtarit, një ditë para se ajo të mbushte 15 vjeç.

D4vd, i cili u bë i njohur me këngët virale në TikTok “Romantic Homicide” dhe “Here With Me”, anuloi turneun e tij pas zbulimit të rastit dhe u tërhoq nga aktivitetet publike.

Prokuroria e Los Angelesit ka ngritur ndaj tij disa akuza, përfshirë vrasje, abuzim seksual të një fëmije dhe trajtim të paligjshëm të mbetjeve mortore.

Seanca paraprake gjyqësore pritet të vijojë ditët në vijim.

© Panorama.al

Te lidhura