Teksa protesta ka hyrë në ditën e saj të 26-të, aktivisti Ilir Xhemalaj shprehet i bindur se lëvizja qytetare do të arrijë objektivin e saj kryesor, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
I ftuar në programin e drekës në News24, përballë gazetares Ola Bruko, Xhemalaj theksoi se forca e protestës qëndron te pjesëmarrja e të rinjve, të cilët sipas tij kanë vendosur të marrin në dorë fatin e vendit.
“Sot të rinjtë janë ngritur nga kafenetë dhe kanë marrë fatin në dorë. Janë të shkolluar, të artikuluar dhe të vendosur për të sjellë ndryshimin që kërkon vendi”, deklaroi ai.
Sipas Xhemalajt, protestës i japin qëndrueshmëri edhe profesionistët e rinj që janë bashkuar nga diaspora, mes tyre mjekë, inxhinierë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.
“Ka të rinj të arsimuar, mjekë dhe inxhinierë që kanë ardhur nga diaspora për t’iu bashkuar kësaj kauze. Pikërisht kjo e bën protestën të qëndrueshme dhe do të arrijë qëllimin e saj, dorëheqjen e Edi Ramës”, u shpreh ai.
Ndërkohë, gjatë të njëjtit emision, aktivisti Eduart Kaca ngriti diskutimin për ndryshimin e sistemit të qeverisjes në vend. Ai argumentoi se modeli aktual parlamentar ka dështuar dhe se Shqipëria duhet të kalojë në një sistem të ngjashëm me atë amerikan.
“Sistemi parlamentar ka dështuar, ashtu si edhe sistemi shumëpartiak. Kemi parti pa institucione dhe liderë të përhershëm. Shqipëria ka nevojë për një sistem amerikan, me president të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli dhe me kompetenca të plota”, deklaroi Kaca.
© Panorama.al












