Akti normativ për kredinë 45 milionë USD kalon në Parlament

Dec 23, 2011 | 11:04

Opozita në Kuvend: KESH-it i mungojnë 220 milionë euro.

Kuvendi ka miratuar vetëm me votat e maxhorancës aktin normativ të qeverisë që lejon KESH-in të marrë kredi 45 milionë dollarë për të blerë energji në mënyrë që të sigurojë furnizim pa ndërprerje. Ky akt normativ ka kaluar mes diskutimeve të zgjatura të kampeve politikë. Deputeti Arben Ahmetaj e vuri theksin në zinxhirin e borxheve që kanë operatorët e sektorit energjetik në vend si KESH, CEZ dhe OST mes njëri–tjetrit, por edhe borxhet që institucionet u kanë kompanive. Duke iu referuar përllogaritjeve të bëra, Ahmetaj u shpreh se sot “çdo familje ka paguar 200 euro më shumë për shkak të gallatës së operatorëve, vendimeve të institucioneve dhe shtetit”. Në total, sipas tij, gropa financiare që i është krijuar KESH-it prej borxhit që i ka CEZ-i, prej parave që i mungojnë nga shitja e energjisë në kohët kur Veriu i Shqipërisë u përfshi nga përmbytjet dhe vendimi i uljes së çmimit që mori ERE vjet është plot 220 milionë dollarë. Deputeti tjetër i opozitës, Erjon Braçe, u shpreh se është koha që sektorit energjetik në vend t’i bëhet një analizë e hollësishme mbi funksionimin e tij. Braçe nuk harroi të përmendte as koncesionet si një dështim i qeverisë që nuk kanë dhënë në tregun energjetik kontributin që pritej dhe që aq shumë është lakuar nga qeveria. Në këtë pikë ka reaguar ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, i cili ritheksoi edhe një herë që historia e koncesioneve është një histori suksesi dhe se shumica e kontratave që janë firmosur ndër vite shumë shpejt do të hyjnë në treg dhe do të japin impakt pozitiv. Aktin normativ të qeverisë e ka mbrojtur edhe ministri i Financave, i cili u shpreh se garancia e dhënë për KESH-in nuk e rrit borxhin publik më shumë se 60 për qind, por e çon atë në nivelin 59 për qind të GDP-së. Pavarësisht alarmit për çështjen e borxhit, Bode theksoi se qeveria ka menduar në këtë pjesë për interesin publik dhe ka vendosur që të zgjedhë rritje të borxhit dhe furnizim me energji pa kufizim për qytetarët. Ai argumentoi që, garancia që i jepet KESH nga qeveria për të marrë 45 milionë dollarë kredi, ndihmon për të kaluar këtë moment të vështirë të sistemit energjetik duke siguruar furnizim pa ndërprerje për qytetarët.

45 milione usd
është kredia që do të marrë KESH me garanci të qeverisë Shqiptare, për të kaluar situatën e vështirë aktuale dhe për të siguruar energji pa kufizime për qytetarët. Kjo garanci e rrit borxhin publik në 59 për qind

© Panorama.al

Te lidhura