Futbollisti i famshëm Cristiano Ronaldo, ka folur së fundmi për partneren e tij, Georgina Rodríguez, teksa rrëfen edhe arsyen se përse i propozoi për martesë në këtë kohë.

Në një intervistë për gazetarin britanik Piers Morgan, futbollisti 40-vjeçar tregoi se ndjehet i lumtur dhe i përmbushur në jetën personale dhe e quan partneren “dashurinë e jetës së tij”.
“Mendoj se ishte momenti i duhur, jo vetëm sepse ajo është nëna e fëmijëve të mi, por sepse është dashuria e jetës sime. Ishte momenti i duhur,” tha Ronaldo, duke iu referuar propozimit që i bëri Georginës në muajin gusht.
Ai u shpreh me mirënjohje për partneren e tij, e cila, sipas tij, ka luajtur një rol thelbësor në ruajtjen e ekuilibrit familjar:
“Ajo është unike. Ajo kujdeset për mua, për familjen dhe për shtëpinë, gjë që kërkon shumë punë. Kjo është diçka që unë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë,” tha Ronaldo.
Në të njëjtën intervistë, ylli portugez foli edhe për periudhën e vështirë pas humbjes së djalit të tyre binjak në vitin 2022, ndërkohë që vajza e tyre erdhi në jetë e shëndetshme.
“Ka qenë një periudhë shumë e vështirë, por ajo na bëri më të fortë si çift. Ndoshta gjatë asaj kohe e konsoliduam më shumë marrëdhënien tonë. Mësova shumë dhe fitova një perspektivë tjetër për jetën,” u shpreh ai.
Ronaldo shtoi se vajza e tyre, tashmë trevjeçare, është “mbretëresha e familjes” që sjell gëzim në çdo ditë të jetës së tyre.
“Çdo gjë ndodh për një arsye. Ne jemi një familje e bekuar dhe jam krenar për këtë,” përfundoi ai.
© Panorama.al











