A do ta kundërshtonte Trumpin? Kryeministri i ri britanik: Interesat e vendit tim do t’i vë gjithmonë në vend të parë

Jul 26, 2026 | 16:13

Kryeministri i ri i Britanisë, Andy Burnham, ka deklaruar se “gjithmonë do t’i vërë interesat e Britanisë në vend të parë” kur u pyet në një intervistë për BBC nëse do ta kritikonte publikisht presidentin e SHBA, Donald Trump.

andy burnham

Paraardhësi i tij, Keir Starmer, kishte një marrëdhënie të tensionuar me Trumpin për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre mbi luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, imigracionin, politikën energjetike dhe rregullimin e teknologjisë.

Edhe pse Trump fillimisht e përshkroi Burnhamin si “të ekstremit të djathtë”, ai tha më herët këtë javë se pati një “bisedë shumë të mirë” me të menjëherë pas marrjes së detyrës.

Në intervistën e tij të parë që nga marrja e detyrës për “Panorama” të BBC-së, kryeministri i ri britanik u pyet nëse ishte i gatshëm ta kritikonte publikisht presidentin amerikan kur mendonte se ishte gjëja e duhur për të bërë.

“Duhet të mbrosh interesin tënd kombëtar para çdo gjëje tjetër. Kjo është ajo që duhet të bësh nëse do ta bësh këtë punë siç duhet.”, tha ai.

Gjithashtu, kryeministri përjashtoi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme para vitit 2029, duke theksuar se fokusi i qeverisë është rikthimi i vendit në rrugën e duhur.

Duke iu referuar mbrojtjes kombëtare, Burnham tha se ishte “absolutisht i përkushtuar” ndaj angazhimeve të Britanisë ndaj aleatëve të saj në NATO.

Londra është zotuar të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 3.5% të PBB-së deri në vitin 2035, një objektiv në përputhje me qëllimin e ri të Aleancës.

© Panorama.al

Te lidhura