Në daljen për mediat, Sali Berisha u pyet nëse do ta dërgojë në SPAK librin me 1500 faqe që publikoi me fakte dhe prova për zgjedhjet e 11 majit.
Berisha tha se e kanë diskutuar për ta dërguar por shtoi se ata kanë dërguar mbi 100 padi në Prokurorinë e Posaçme për krimet e 11 majit, por s’u morën parasysh.
“E kemi diskutuar dhe mund ta çojmë. Dua t’ju them ju se problemi më themelor i Partisë Demokratike dhe Berishës me SPAK kur e kam quajtur SKAP për amnistinë elektorale. Nëse SKAP nuk do të bënte amnisti elektorale këto nuk do të ndodhnin kurrë. Por SPAK është pjesë e axhendës elektorale të PS. Jo të gjithë. Dumani deklaroi para një muaji se nuk kanë sjellë fakte. Mbi 100 padi janë ngritur në SKAP për këto dhe nuk kanë lëvizur asnjë. Mund t’ua dërgojmë por amnistia e krimit elektoral është amnisti për bandat.”, tha Berisha.
Më tej, ai theksoi se ka denoncuar edhe më parë Ergys Agasin për takimet e tij me Elvis Doçin dhe Suel Çelën te Shkëmbi i Kavajës, që sipas të cilit, bashkërendonin krimet elektorale. Berisha e akuzoi Agasin se kontrollon edhe SHIK.
“Sa herë e kam denoncuar para jush Ergys Agasin.Takimet e tij te kodra e kuajve te shkëmbi i Kavajës, ku takohej me Elvis Doçin dhe Suel Çela, rregullisht dhe bashkërendonin krimet elektorale. Kur i denoncova ndërtuan lokalin dhe shkuan të takoheshin te shtëpia e Gjushit. Nuk i dinte SKAP këto? 100%. Por, Gys Agasi i ka regjistruar vetë ata me SHIK-un. Taskforcën e krijuar nga SPAK për të ndjekur zgjedhjet, Gys Agasi me SHIK e vuri në survejim në regjistrim të plotë telefonat dhe të gjitha. E dinë ata shumë mirë po heshtin. E dinë që Gys Agasi ishte njeriu i Edi Ramës. Pra, të gjitha këto janë denoncuar., është denoncuar prej kohësh që ai kontrollon Shërbimin Informativ Kombëtar, jo njëherë por disa herë edhe me fakte. Imagjinoni kishte projekte për të marrë peng ministra, ai ishte qeveria e Edi Ramës “, tha ai.
© Panorama.al












