
Për herë të parë, baleti është ngjitur në skenën shqiptare në vitin 1988.
Tragjedia e vajzës fshatare, që edhe e thyer në shpirt, nuk e tradhtoi të dashurin e saj princ, ngjitet në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në prag Krishtlindjesh. “Zhizel”, një nga veprat koreografike më të bukura të repertorit botëror, rikthehet në skenën shqiptare pas 13 vjetësh. Një balet në dy akte me libret të J. de Saint Georges dhe T. Gautier, të cilët u mbështetën mbi një poemë të Heinrich Heine, me muzikë nga Adolphe Adam, koreografi nga Perrot, Coralli e Petipa, që qysh prej daljes së parë në vitin 1841 në Academie Royale de Musique në Paris do të bëhej një prej veprave më të dashura për publikun në të gjithë botën. Në skenën shqiptare, në këtë fundvit, kjo vepër vjen nën koreografinë e Agron Aliajt, skenografi dhe kostumografi nga Shaban Hysa, por tashmë të ripunuara nga Taulant Pustina. Orkestra Simfonike TKOB drejtohet nga dirigjenti Edmond Doko, ndërsa në skenë do të ngjiten solistët e trupës së baletit, si Enada Hoxha, Odeta Dishnica, Gerd Vaso, Evis Nallbani, Dion Gjinika, Greta Hushi etj. Baleti do të ngjitet në skenë përgjatë katër netëve, duke nisur nga mbrëmja e nesërme, deri në 25 dhjetor.
Një histori shqiptare
Për herë të parë, publiku shqiptar shijoi baletin “Zhizel” në vitin 1988 me koreografi nga Agron Aliaj, skenografi nga Shaban Hysa dhe në rolet kryesore interpretonin disa nga emrat më të njohur, jo vetëm të asaj kohe dhe jo vetëm për skenën shqiptare. Kështu, për herë të parë, tragjedia e Zhizel është interpretuar nga balerinët Mukadez Erebara, Albana Sulejmani, Ludmill Çakalli, Ilir Kerrni, Pëllumb Agalliu, Leonard Xhokaxhi etj. U deshën të kalonin dhjetë vjet që kjo vepër të rivihej në skenën e TKOB-së, në vitin 1998. Koreografia, skenografia dhe kostumografia mbanin të njëjtat firma, ndërkohë që balerinët e dikurshëm i kishin lënë vendin një brezi të ri. Në rolet kryesore interpretonin Enada Hoxha, Gerd Vaso, Eno Birko, Ambeta Toromani, e cila prej vitesh zhvillon karrierën e saj në vendin fqinj, Itali, ku edhe ka bërë një emër të madh etj. Qysh atëherë kanë kaluar 13 vjet. “Fantazma” e Zhizelit kthehet në TKOB. Emrat e balerinëve janë shtuar me të tjerë, ndërsa skenografia dhe kostumografia do të “shpluhurosen” paksa nga Taulant Pustina, por pa u larguar nga origjinali.
Tragjedia
Libreti i baletit Zhizel është ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane. Një histori dashurie dhe besnikërie, me një fund tragjik. Gjatë aktit të parë, publiku njihet me Zhizel. Ajo është vajza më e bukur e një fshati mbushur me vreshta. Dashurohet pas një të riu, që hiqet si fshatar, por në fakt nuk është veçse princi Albert. Hansi, një bashkëfshatar, mundohet t’i hapë sytë vajzës, por ajo mendon se ai nuk është veçse xheloz. Kur e vërteta del në shesh dhe Zhizel e merr vesh që jo vetëm se është princ, por edhe i fejuar, shembet përdhe e vdekur. Gjatë aktit të dytë, Alberti, i cili ndihet fajtor për vdekjen e Zhizelës, përndiqet nga shpirtra djallëzorë. Por, edhe pse e mashtruar, Zhizel e mbron të dashurin e saj deri në fund.
“Deri në fund në Opera”
Me rastin e festave të fundvitit, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka ndërtuar një kalendar aktivitetesh titulluar “Deri në fund në Opera”. Marrin pjesë solistët më të mirë lirikë dhe të baletit, orkestra simfonike, kori dhe trupa e baletit të TKOB, Garda e Republikës, nxënës të Shkollës Kombëtare të Koreografisë etj.
Baleti “Zhizel”
Në datat 22,23,24,25 dhjetor
Ora 19:00
***
Christmas – Matine
Koncert koral dhe solistik
Në datën 24 dhjetor
ORA 11:00***
Grand Ballo
në Opera
Nën tingujt e magjishëm
të valseve vjeneze
Në datën
30 dhjetor
Ora 19:00
ALMA MILE
© Panorama.al











